Maqedoni

VMRO konteston zgjedhjen e Xhaferit, Ilioski: Zgjedhja, pjesë e skenarit për grusht shtet

10.05.2017 18:25

Përderisa shumica e re parlamentare pret mandatin për formimin e Qeverisë nga presidenti Ivanov, VMRO-DPMNE vazhdon të kontestojë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit...

Partia e Gruevskit konsideron se procedura e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit është në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin dhe Rregulloren e Kuvendit, dhe paraqet grusht shtet nga ana e LSDM-së. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së, Zoran Iloski, kërcënoi me përgjegjësi penale dhe politike. 
 
“LSDM në formë jolegale u përpoq që të zgjedh kryetar Kuvendi. Vepra e bërë nga Misovski është pjesë e skenarit të LSDM-së që të bëjë grusht shtet, të shkel procedurat, ligjet, Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit të RM-së. Këtë krim, Misovskit dhe LSDM e bënë me qëllim që sa më shpejtë të fillojnë të realizojnë Platformën nga Tirana”,- deklaroi Zoran Ilioski nga VMRO-DPMNE.
 
Në ndërkohë, vazhdon legjitimimi i kryeparlamentarit të ri nga faktori ndërkombëtar dhe vendet fqinje. 
 
Xhaferi pret ambasadorin shqiptar
 
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, sot realizoi takim zyrtar me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në vend, Fatos Reka, i cili ia uroi zgjedhjen kryetar i Kuvendit, si hap shumë i rëndësishëm në stabilizimin e gjendjeve politike në Maqedoni.
 
Të dy bashkëbiseduesit ndanë bindje të ndërsjella se në këtë rajon mund të jenë të suksesshëm vetëm konfrontimet e koncepteve politike konstruktive, ndërsa të gjitha idetë tjera për konflikte ndërinstitucionale, ndëretnike dhe ndërshtetërore janë "të dënuara" që më parë si projekte të pasuksesshme”,- thuhet në kumtesë. 
 
Tevdoski: S’ka asnjë pengesë për ndarjen e mandatit
 
Shumica e re parlamentare, nga ana tjetër, angazhohet që pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të formojë edhe qeverinë e re. Presidenti Ivanov duhet sa më shpejtë të ndajë mandatin, pasi nuk ka asnjë pengesë për ta bërë këtë, thonë nga LSDM. 
 
“Nuk ka asnjë pengesë, as logjikë dhe asnjë arsye që mandati të mos i jepet kryetarit, Zoran Zaev, dhe ai duhet të jepet sa më shpejtë që të jetë e mundur”,- tha Dragan Tevdovski nga LSDM.
 
VMRO nuk komenton qëndrimin e presidentit, por kërkon nga zyrtarët e zgjedhur që, para së gjithash, të mbrojnë interesat shtetërore dhe nacionale dhe të veprojnë në harmoni me Kushtetutën dhe Ligjet.
 
SHPËTIM NUREDINI