Maqedoni

Dhuna në Kuvend, Grubi: Prokuroria të respektojë ligjet

10.05.2017 18:18

Prokuroria Publike ka filluar që t’i ftojë deputetët për të dëshmuar në lidhje me dhunën e 27 prillit në hapësirat e organit ligjvënës...

Në prokurori dha dëshminë e tij deputeti i BDI-së, Artan Grubi. Ai ka arsyetuar mospraninë e kreut të BDI-së në Kuvend në seancën kur u votua kryeparlamentari i ri.
 
Sipas tij, BDI ka pasur informacione se Ahmeti mund të jetë cak i një sulmi të huliganëve. Grubi pret që Prokuroria të respektojë ligjin e të dënojë ata që sulmuan Kuvendin.  
 
“Uroj që Prokuroria mos të ndikohet nga politika por të veprojë në përputhje me ligjin dhe të japë dënime në përputhje me atë se çfarë ka ndodhur, që mos të inkurajohet një gjë e tillë edhe në të ardhmen”,- deklaroi deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
 
Grubi, ndërkohë, i ka quajtur spekulime dashakeqe pretendimet se ai jo vetëm që nuk është sulmuar, por përkundrazi është përshëndetur me protestuesit dhe ka dalë lirisht nga pres qendra në kohën kur sulmoheshin deputetët e tjerë. Thotë se të njëjtat  bëhen me qëllim që  të dëmtojnë imazhin e tij. 
 
“Është jo e vërtetë, është spekulim ordiner. Këtu jam në cilësinë e të dëmtuarit dhe kështu më ka ftuar Prokuroria, për arsye se në incizimet e kamerave të sigurisë është vërejtur nga Policia se protestuesit më sulmojnë edhe mua gjatë daljes nga Kuvendi dhe komentet e tilla janë shumë dashakeqe dhe thjeshtë i shërbejnë një propagande geberciane”,- u shpreh deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
 
Pas dëshmisë së Grubit, në Prokurorinë Publike pritet të paraqiten edhe deputetë të tjerë për të sqaruar se çfarë ndodhi në mbrëmjen e 27 prillit.  
 
BELINDA KOKA-ADEMI