Berisha rikthehet te Shkëndija
24 vjeçari të martën firmosi kontratë dy vjeçare me ekipin ‘kuqezi’, duke u kthyer në folenë e vjetër pas vetëm një sezoni. Berisha sezonin e posa mbyllur ishte pjesë e Metalurgut të Shkupit, ku verën e kalaur u transferua pikërisht nga Shkëndija......
Mbrojtësi shkupjan Sedat Berisha është futbollist i ri i Shkëndijës. 24 vjeçari të martën firmosi kontratë dy vjeçare me ekipin ‘kuqezi’, duke u kthyer në folenë e vjetër pas vetëm një sezoni. Berisha sezonin e posa mbyllur ishte pjesë e Metalurgut të Shkupit, ku verën e kalaur u transferua pikërisht nga Shkëndija.
Bëhet fjalë për futbollist që rjedh nga shkolla e futbollit të KF Shkupit (ish-Slloga Jugomagnat), në sezonin 2010/11 erdhi në Tetovë nga rradhët e Milanos së Kumanovës dhe ishte një ndër pikat më të forta në fitimin e titullit të kampionit.
Tre sezone me rradhë shkupjani ishte shtyllë e vërtetë në mbrojtjen ‘kuqezi’, duke regjistruar 85 paraqitje dhe shënoi tre gola. Pas finales së humbur nga Teteksi sezonin e kaluar dhe trazirave që ndodhën në ekip, Berisha u detyrua të kërkojë mjedis të ri, ndërsa tani vendos të kthehet për të vazhduar misionin e tij edhe pse kishte oferta edhe nga klube tjera nga vendi dhe jashtë.
Angazhimi i Berishës pritet të përforcojë dukshëm vijën e fundit të ekipit para përballejeve në kualifikimet për Liga Evropa, si dhe sezonin e ardhshëm ku ambiciet janë edhe më të mëdha. (Artan Ziberi, TVM2)