Botë

Thaçi: Zgjedhjet në Kosovë, më 11 qershor

11.05.2017 14:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zyrtarizuar 11 qershorin si datën kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë....

Këtë e kanë bërë të ditur nga kabineti i presidentit, pas takimit konsultativ me përfaqësuesit e partive politike. Në takim PDK, AAK dhe Nisma preferuan 11 qershorin, ndërsa Vetëvendosje preferonte 18 qershorin.
 
Në takim LDK e Isa Mustafës ka injoruar ftesën e Thaçit. Presidenti i Kosovës në takim me përfaqësuesit e partive sqaroi se në përputhje me Kushtetutën, neni 66, pika 2, që përcakton shpërndarjen e Kuvendit, zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.
 
Rrjedhimisht, datat për zgjedhjet e ardhshme janë datat 11 dhe 18 qershor 2017. Thaçi po ashtu  tha se  do t’i drejtohet edhe Bashkimit Europian që të ketë një pjesëmarrje sa më të madhe, me qëllim që të jetë një proces i besueshëm dhe i pranueshëm nga i gjithë spektri politik kosovar, faktori ndërkombëtar, por para së gjithash të jepet dhe një provim i ri i shtetit të Kosovës, ndërsa vetë aktin e shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme e quajti një provim të rëndësishëm të demokracisë.
 
“Kosova dje ka dhënë një provim të rëndësishëm të demokracisë. Pas një debati disaorësh, Kuvendi i Kosovës ka marrë vendimin e vullnetit të vet nga deputetë të partive të ndryshme dhe komuniteteve të ndryshme. Prandaj duhet të merret parasysh se kjo tek e fundit është një emancipim i klasës politike kosovare”,- deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
 
Ndërkaq, kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, e cila po ashtu ishte e ftuar në takimin te presidenti, tha se KQZ në kuadër të kompetencave kushtetuese që ka do të jetë e gatshme të organizojë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe njëkohësisht ftoi për bashkëpunim të gjitha subjektet politike dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
 
Deri te zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë erdhi pasi Kuvendi të mërkurën votoi mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga kryeministri, Isa Mustafa. Mocioni u mbështet nga të gjitha partitë, përveç LDK-së, e cila drejtohet nga Isa Mustafa.
 
GYLTENE SINANI