Samiti i G7-s, Italia pezullon për 20 ditë traktatin Shengen
Prej mesnatës së datës 10 maj e deri në mesnatën e 30 majit, Italia ka vendosur të pezullojë Traktatin Shengen...

Prej mesnatës së datës 10 maj e deri në mesnatën e 30 majit, Italia ka vendosur të pezullojë Traktatin Shengen e të rivendosë kontrollin e policisë në kufijtë e brendshëm, tokësor, detar e ajror.
Kjo masë limituese është ndërmarrë për të garantuar sigurinë kombëtare e ndërkombëtare gjatë qëndrimit të liderëve më të rëndësishëm në Samitin e G7.
Enti Kombëtar i Aviacionit Civil Italian ka informuar të gjithë aeroportet italiane e shoqëritë ajrore për rivendosjen e kontrollit të policisë së kufirit, duke ftuar udhëtarët të mbërrijnë në aeroporte para orarit të parashikuar e me dokumente të domosdoshme për të kaluar kufirin kombëtar.
Kontrolle të tilla janë parashikuar dhe në stacionet hekurudhore, në portet e në pikat tokësore të kufirit italian.
Një masë e tillë sigurie në kuadër të Samitit të G7 është adoptuar dhe nga Bashkimi Europian, duke ndaluar për këtë periudhë kohore qarkullimin e lirë të njerëzve në hapësirën Shengen, e përbërë aktualisht nga 26 vende europiane, 22 prej të cilave anëtare të BE-së.
