Maqedoni
Ibrahimi - banorëve të rajoneve të vërshuara: Lironi konviktin, kthehuni në shtëpi
11.05.2017 16:56
Banorët e vendeve të përfshira nga vërshimet vitin e kaluar në rrethin e Shkupit që qëndrojnë në konviktin “Seniç”....

Banorët e vendeve të përfshira nga vërshimet vitin e kaluar në rrethin e Shkupit që qëndrojnë në konviktin “Seniç”, duhet të kthehen në shtëpitë e tyre, thotë ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi. Sipas tij, ata që nga nëntori i vitit të kaluar kanë marrë dëmshpërblimet dhe tanimë kanë kushte për jetës në shtëpitë e tyre, duhet të lëshojnë konviktin.
“Në përputhje me vendimin e Qeverisë, vendimi ishte deri më 1 prill. Ndërsa kemi siguruar vend tjetër ku mund të vendosen, por duhet t’i plotësojnë procedurat që i kërkojmë nga ata, që të shohim se janë me të vërtetë persona nga ato vendbanime, pasi kemi informacione se në Konviktin në “Seniç” qëndrojnë edhe njerëz të cilët nuk janë nga rajoni i vërshuar”,- tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
Projekt-trajnim për 40 persona që gjatë kohë janë pa punë
Këto komente ministri Ibrahimi i bëri në promovimin e projektit “Ndërmerr aksion për të përmirësuar konkurrencën në tregun e punës”, i cili ka për qëllim përfshirjen në tregun e punës të personave që janë në rrezik social dhe të të papunësuarve në një afat më të gjatë. Projekti përfshin trajnimin e 40 personave, ndërsa organizohet nga Kryqi i Kuq dhe Oda e Zejtarëve, me financim të BE-së.
“Bëhet fjalë për një aktivitet në mënyrë plotësuese edhe njëherë vërteton se Kryqi i Kuq i Maqedonisë tregon ambicie plotësuese për të marrë pjesë edhe në çështjet shoqërore të cilat nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me veprimtarinë dhe me aktivitetet si organizatë, por jemi në gjendje që të japim kontribut dhe të jemi iniciues, sepse me bashkëpunim partneror si dhe aktivitete partnerore në jetën e përditshme mund të sjellin një rezultat, siç e presim nga ky”,- u shpreh Sait Saiti nga Kryqi i Kuq.
Trajnimi i 40 personave filloi në nëntor të vitit 2016 dhe është planifikuar që të përfundojë në qershor të këtij viti.
REJHANE BUSHI-METAJ
