Maqedoni

“Lagja e Trimave”, avokatët kundërshtojnë videon e Prokurorisë Publike

11.05.2017 17:27

Në seancën e sotme gjyqësore, Prokuroria Publike prezantoi video incizimin nga përleshja e armatosur në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë të para dy viteve...

Me këtë video-regjistrim Prokuroria pretendon të dëshmojë se Policia i ka bërë në kohë paralajmërim Grupit të Armatosur se do të ndërmarrë aksion. Pala mbrojtëse kundërshton këto prova me arsyetimin se këto incizime janë të modifikuara, të prera, nuk korrespondojnë me ngjarjen e vërtetë që ka ndodhur atë ditë dhe tregon se paralajmërimi i policisë nuk është bërë me autoparlante, ashtu siç e parasheh ligji, por i njëjti është bërë me një bisedë interne mes policëve. 
 
“Video-incizimi nuk qartëson dilemat as nga ana e Prokurorisë, as nga ana e të akuzuarve, përkundrazi, shton dyshimin se kjo video është e shkurtuar, e montuar dhe nuk i përmban elementet kryesore për t’u parë gjendja faktike e rastit të Kumanovës. Ne do ta kundërshtojmë pranimin e kësaj prove si nga përmbajtja po ashtu edhe nga shumë elemente tjera. Nëse Gjykata e pranon këtë provë, atëherë do të kërkojmë ekspertizë për autenticitetin e këtij incizimi”,- theksoi avokatja mbrojtëse, Ajtene Ademi.
 
Pala mbrojtëse do të kërkojë dhe ekspertizë të idetifikimit të zërave për arsye se shumë biseda telefonike të prezantuara sot nga i njëjti numër i telefonit flasin persona të ndryshëm, kurse celulari konsiderohet se është i personave të panjohur, sqaron Ademi. 
 
Pjesa e parë e seancës gjyqësore për rastin “Kumanova” ishte e mbyllur për shkak të prezantimit të këtyre materialeve të klasifikuara, ndërsa në pjesën e dytë të saj mbrojtja prezantoi edhe dëshmitë e fundit plotësuese për këtë rast.
 
Mbrojta kërkoi që në Gjykatë të paraqiten si dëshmitarë disa politikanë, pjesëtarë të MPB-së të cilët i kanë kryer hetimet në “Lagjen e trimave”, agjentë të shërbimeve sekrete, drejtori i spitalit të Kumanovës, si dhe mbi 50 qytetarë, numrat e të cilëve janë përgjuar me masa të veçanta. 
 
Seanca gjyqësore e radhës është caktuar për më 19 maj, atëherë Prokuroria dhe Gjykata do të duhet të prononcohen për të gjitha emrat e funksionarëve dhe të politikanëve të propozuar si dëshmitarë. 
Në rastin “Lagja e trimave” akuzohen 37 persona për veprën penale “terrorizëm”, akuzë që mohohet kategorikisht nga të akuzuarit. 
 
REXHEP QAMILI