Maqedoni

Xhaferi: T’i lejohet shumicës të realizojë programin

11.05.2017 17:46

Demokracia dhe parlamentarizimi në Maqedoni ndodhen larg standardeve të cilat zbatohen në Europë...

Kështu ka vlerësuar kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, gjatë një fjalimi që ka mbajtur në konferencën "Qytetarë të përfshirë për Kuvend të përgjegjshëm dhe transparent", në organizim të Asociacionit qytetar MOST. Si problem kryesor në funksionimin e Kuvendit ai ka veçuar raportet midis mazhorancës dhe opozitës. Ai dënoi dhunën në Kuvend, ndërsa tha se suksesi varet nga të gjithë 120 deputetët.
 
“Në periudhën e kaluar shumica parlamentare çdoherë opozitën e ka perceptuar si oponent politik i cili duhet të fitohet, ndërkaq në momente edhe politikisht të eliminohet. Opozita është ajo që i jep legjitimitetin e plotë çdo Parlamenti. Ajo nuk duhet të vështrohet si dekor, por duhet të jetë aktive në të gjitha proceset që zhvillohen në Kuvend. Opozita duhet të jetë e vetëdijshme se mazhoranca parlamentare duhet ta realizojë programin e saj”,- deklaroi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
 
Arifi: Përgjegjësi për sulmuesit e Kuvendit
 
Sipas profesoreshës, Besa Arifi, pjesëmarrëse në konferencë, veçohen tre vërejtje për të pasur një Kuvend transparent.
 
“Gjëja e parë që duhet theksuar është nevoja për të vendosur përgjegjësi penale për çdolloj sulmi që bëhet ndaj këtij institucioni më të lartë demokratik të një shteti. Gjëja e dytë është sigurimi i asaj që quhet siguri juridike për qytetarët për shkak se mënyra e deritanishme e funksionimit të parlamentit nuk e ka garantuar këtë siguri me vetë faktin që statistikat tregojnë se 70% e ligjeve janë sjellë me procedurë të shpejtuar dhe ka pasur situatë kur 40 ligje janë sjellë brenda një dite, dhe gjëja e tretë që duhet pasur parasysh është përfaqësimi i vërtetë i qytetarëve dhe jo vetëm formal i tyre përmes punës së Parlamentit”,- u shpreh profesoresha universitare, Besa Arifi.
 
Aleksovski: Të rritet efikasiteti i Kuvendit
 
Darko Aleksov beson se gjatë viteve në vijim do të përmirësohet efikasiteti i Kuvendit. 
 
“Sinqerisht, shpresoj se pas katër vitesh do të mund të themi se numri prej 27% të ligjeve që janë miratuar si plotësime dhe ndryshime të ligjeve veç më të miratuara gjatë vitit në vijim, të gjitha me procedurë të shkurtër dhe pa kurrfarë konsultimi dhe pjesëmarrje të palëve të interesuara në ndërtimin e politikave, më nuk do të jetë si konstatim dhe nuk do të ekzistojë si numër”,- tha Darko Aleksovski nga “Most”.
 
Drejtor i Institutit Demokratik Kombëtar – Maqedoni, Kris Henshoi, theksoi se Kuvendi u përket qytetarëve dhe ai duhet të kryejë kontroll mbi punën e qeverisë. Parlamenti duhet të nxisë fushatë të re që ta kthejë besimin e qytetarëve dhe të tregojë se çka do të thotë Kuvendi.
 
NAIM RAMADANI