Maqedoni
Incidentet në Kuvend, disa nga sulmuesit po përballen me drejtësinë
11.05.2017 18:04
Kire dhe Cane Gjorgjievski kanë përfunduar në paraburgim 30-ditorë në burgun e Shutkës, nën dyshimin se kanë sulmuar liderin e Aleancës për shqiptarët, Zijadin Sela...

Prokuroria Publike ka bërë rikualifikim të veprës ndaj dy të dyshuarve, nga “pjesëmarrje në turmë” në “tentim për vrasje”, ndërsa pas paraqitjes para gjykatësit hetues u është shqiptuar masa e paraburgimit 30-ditorë. Po ashtu në bazë të provave materiale, të dyshuar për veprën e njëjtë janë dhe dy persona të paidentifikuar.
Edhe policia mbetet e angazhuar për identifikimin dhe kapjen e dy të dyshuarve të tjerë për tentim-vrasjen e deputetit Sela. Po ashtu policia gjatë ditës ka dërguar në prokurori edhe emrat e shtatë të dyshuarve tjerë për pjesëmarrje në protestat e dhunshme më 27 prill. Po ashtu MPB ka suspenduar 5 pjesëtarë të policisë të cilët kanë qenë pjesë e sigurimit të Kuvendit e që nuk kanë ndërmarrë asgjë për të penguar futjen e turmës në Kuvend.
Nën hetime janë edhe 30 policë dhe pjesëtarë të tjerë të MPB-së, në mesin e të cilëve dyshohet të ketë të përfshirë edhe në protesta, disa prej të cilëve të maskuar. Pjesëmarrja në incidentet e dhunshme në Kuvend i ka kushtuar me largim nga posti i drejtorit të shkollës së mesme bujqësore në Tetovë Aleksandar Baçevskit.
Pas publikimit të videoregjistrimeve se në mesin e të dyshuarve për dhunë në ngjarjet në Kuvend është edhe Baçevski, komuna e Tetovës ka marrë vendimin që ai të shkarkohet nga posti i drejtorit.
GAZMEND KURTISHI
