Maqedoni
Zaev do ta formojë Qeverinë pa mandatin e Ivanovit. VMRO: Platforma nga Tirana nuk kalon
11.05.2017 18:34
Ivanov nuk mund të mbajë peng në pafundësi shumicën e re parlamentare...

LSDM nuk përjashton mundësinë që shumica e re parlamentare të formojë Qeverinë pa formalitetin e ndarjes së mandatit nga ana e presidentit nëse ai vazhdon të shkel detyrimin kushtetues.
Nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski, edhe një herë ftoi Ivanovin që të respektojë Kushtetutën dhe të ndajë mandatin. Sipas tij, shumica e re nuk rrezikon karakterin unitar të shtetit dhe Ivanov shumë mirë e di këtë. Por, nuk përjashtoi mundësinë që Zaevi sërish t’ia përsërisë atë që është shënuar në Programin e qeverisë së re.
“Absolutisht jemi të vetëdijshëm se një opsion i tillë sipas të gjitha gjasave ekziston. Opinioni, qytetarët, Ivanovi, të gjithë shumë mirë i dinë garancitë e shumicës së re parlamentare dhe shtetit unitar, në fakt, unitariteti asnjëherë nuk ka qenë i rrezikuar dhe ai shumë mirë e di këtë. Sapo të krijohen kushtet, atë që e kemi deklaruar në Programin e qeverisë së re do t’ia përsërisim edhe z. Ivanovit, por është koha e fundit që ai të respektojë Kushtetutën dhe menjëherë t’ia dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë z. Zoran Zaev”,- u shpreh Damjan Mançevski nga LSDM.
VMRO, nga ana tjetër, thotë se LSDM kurrë s’do të mund ta realizojë Platformë nga Tirana. Ai madje ka akuzuar kreun e LSDM-së dhe deputetët e saj për lidhje të drejtpërdrejtë më dilerë droge.
"Zaevi nuk do t’ia dalë të realizojë Platformën nga Tirana, pa marrë parasysh se sa e madhe është mbështetja që ka nga nëntoka e LSDM-së, ajo nuk mund të realizohet! Qytetarët nuk pajtohen që Zaevi të paguajë borxhet që ka ndaj narko-mafias në llogari të shtetit. LSDM-ja nuk mund të ikë nga drejtësia dhe do të mbajë përgjegjësi për krimet. Zaevi dhe LSDM-ja nuk do të shpëtojnë me presionet ndaj gjyqësorit",- thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE-së.
Një ditë më parë, Presidenca përsëriti qëndrimin se “Presidenti Ivanov mbetet në qëndrimin se e ashtuquajtura Platforma e Tiranës, as ndonjë dokument apo akt tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, nuk mund të jetë kusht, as bazë për formimin dhe funksionimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë”,– thuhej në kumtesë. Mirëpo, kryeparlamentari i ri, Talat Xhaferi, ka njoftuar se do të zbatojë obligimet kushtetuese dhe se do të thërrasë seancë për zgjedhjen e Qeverisë sapo t’i dorëzohet propozimi për kabinetin qeveritar dhe Programi për punë i Qeverisë së re.
SHPËTIM NUREDINI
