Botë
Erdogani: Uashingtoni po i përkrahë terroristët kurdë
12.05.2017 13:08
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, thotë se vizita e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shënojë një “moment historik”...

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, thotë se vizita e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shënojë një “moment historik” në marrëdhëniet mes dy aleatëve të NATO-s që tashmë janë të tensionuara. Por, pak para vizitës në Uashington, ku pritet të takojë homologun e tij amerikan, Donald Trump, presidenti turk ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se Uashingtoni po i përkrah terroristët kurdë.
Për Turqinë militantët e YPG-së në Siri konsiderohen grup terrorist si zgjatim i Partisë së jashtëligjshme të punëtorëve kurd PPK, të cilët që nga viti 1984 kanë zhvilluar kryengritje në juglindje të vendit. Erdogan paralajmëron ShBA-në dhe NATO-n se vendimi për të armatosur forcat kurde që luftojnë militantët e “Shtetit Islamik” në Siri do të rezultojë i dëmshëm për Uashingtonin.
“Për ne, nuk është një situatë elegante që ShBA dhe organizatat terroriste po veprojnë së bashku. E njëjta gjë vlen për Rusinë. Ne nuk duam ta besojmë këtë. Në këtë vizitë besoj se problemet do të zgjidhen. Vizita ime do të jetë një moment i ri në marrëdhëniet turko-amerikane. Duam të besojmë se aleatët tanë do të preferojnë të vihen në anën tonë, e jo në krah të organizatave terroriste. Kjo vizitë do të jetë një moment i ri. Pas kësaj, vlerësimi do të jetë më realist dhe më komod”,- deklaroi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Erdogan shpreson se gjatë vizitës së tij në ShBA më 16 dhe 17 maj dhe takimin e tij të parë me presidentin amerikan Trump, ky problem do të zgjidhet. Erdogan gjithashtu ka thënë se do të kërkojë ekstradimin e klerikut turk, Fethullah Gulen, për të cilin Ankaraja thotë se e ka planifikuar grusht-shtetin e dështuar të vitit të kaluar.
GAZMEND KURTISHI
