Kulturë

Dihen të gjithë finalistët e Eurovizionit. Maqedonia humbi finalen, Jana fitoi familjen

12.05.2017 14:39

Europa dhe kontinentet e tjera tashmë janë gati për finalen e së shtunës të Festivalit Europian të Këngës...

Tashmë u zgjodhën edhe dhjetë gjysmëfinalistët e tjerë që iu bashkëngjiten 10 fituesve të së martës dhe pesëshes së madhe, Italisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Spanjës dhe Ukrainës si vend nikoqir.
 
Mbrëmja e dytë eurovizive ngjalli padyshim debat, fillimisht për veshjen e dy prezantuesve që u cilësua si “kiç”, më pas debati mori rrjedhë pozitive,për cilësinë e këngëve, që padyshim ishte e një niveli shumë më të lartë se nata e parë.
 
Niveli i këngëve kohëve të fundit ka rënë ndjeshëm. Edhe pse eventi mbahet tashmë 60 vjet, edhe pse në të herë pas here kanë marrë pjesë emra të njohura të muzikës europiane, vetëm ABBA që përfaqësoi Suedinë në 1974 dhe Celine Dion që këndoi për Zvicrën në 1988 arritën të fitojnë e të marrin famë ndërkombëtare. Të tjerët, në shumicën e rasteve harrohen menjëherë pas interpretimit. Favorite e sivjetme sipas ranglistave të deritanishme është Italia me Francesko Gabianin, por gjithsesi që shijes së votuesve të shtunën asnjëherë nuk i dihet dhe mund të kemi befasi të mëdha. 
 
Maqedonia edhe sivjet dështoi të kalojë fazën e gjysmëfinales, por arriti të hyjë në historinë eurovizive me një fakt interesant. Jana Burceska fitoi çmimin e saj të madh të jetës, një propozim martese drejtpërdrejt në televizion me dëshmitarë miliona shikues në mbarë botën dhe lajmin se së shpejti ajo dhe partneri i saj do të bëhen me fëmijë. 
 
Maqedonisë vërtetë i duhej finalja pas kaq vitesh, por Jana e përjetoi finalen e saj të madhe. Propozimi për martesë rrëmbeu zemrat dhe emocionet e shikuesve, më shumë se emrat e 10 finalistëve të dytë. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI