Maqedoni
Në “Seniç”, 40 banorë nga rajonet e vërshuara: Nuk largohemi nga konvikti, “25 maji” nuk ka kushte
12.05.2017 15:34
Rreth 40 banorë nga vendbanimet e vërshuara të rrethit të Shkupit kanë ngelur në Konviktin studentor “Seniç”, pasi thonë se nuk kanë ku të strehohen...

Fadil Rushiti nga lagja Hasanbeg e Shkupit thotë se ai nuk mund të kthehet në shtëpinë e tij pasi dëmshpërblimi që ka marrë nga qeveria nuk ka qenë i mjaftueshëm për rindërtimin e shtëpisë, e cila nga komisioni është vlerësuar se është dëmtuar 100%. Po ashtu për atë është i papranueshëm vendimi i Qeverinë që të largohen nga konvikti dhe nëse nuk kanë ku të strehohen të vendosen në Qendrën Sociale” 25 maji”, sepse siç thotë ai, atje nuk ka kushte.
“Ne qëndrojmë në konvikte sepse kushtet nuk i kemi që të kthehemi në shtëpi. Na kanë thënë që të shkojmë, por nuk kemi ku të shkojmë, kanë qenë e kanë parë vendin, shtëpia është e pabanueshme, është bërë që të rrëzohet e tëra. Nuk kemi kushte për jetesë. Po të kisha pasur, sot do të kisha shkuar. Edhe komisioni e ka parë dhe ka shënuar se është 100% e pabanueshme. Na kanë dhënë dëmshpërblim 130 mijë denarë, por ato nuk janë të mjaftueshme. Arsyeja që ne nuk shkojmë tek “25 maji” është se aty ka papastërti dhe thonë se aty të hanë minjtë, nuk ka kushte. Ndërsa këtu në konvikt jemi mirë”,- deklaroi banori i Hasanbegut, Fadil Rushiti.
Xhemaili: Banorët nuk mund t’i nxjerr në rrugë
Drejtori i Konviktit “Tome Stefanovski - Seniç”, Lulzim Xhemaili, thotë se banorët të cilët qëndrojnë në këtë konvikt nuk do t’i largojë edhe përkundër vendimit të qeverisë.
“E respektoj vendimin e Qeverisë, por edhe ky vendim duhet të jetë shumë i matur. Para 40 ditëve ministri tha se do të vijë këtu, do t’i marrë dhe do t’i dërgojë në Qendrën “25 maji” sepse nuk ka mjete për të paguar për ta. Unë e respektoj edhe fjalën e tij, asgjë nuk pres më tepër, vetëm që të vijë dhe t’i marrë njerëzit, le t’i vendosë në Qendrën “25 maji”. Urdhër për të lëshuar konviktin kanë, por të njëjtit nuk kanë dhe ku të shkojnë, unë në rrugë nuk mund ti lë”,- theksoi drejtori i Konviktit “Tome Stefanovski - Seniç”, Lulzim Xhemaili.
Drejtori Xhemaili thotë se një numër i madh i banorëve që ishin vendosur në këtë konvikt tanimë janë larguar dhe aktualisht kanë mbetur rreth 40 persona.
Por, ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi, dje deklaroi se banorët e vendbanimeve të prekura nga vërshimet duhet ta lëshojnë konviktin dhe të kthehen në shtëpitë e tyre. Sipas tij, ata që nga nëntori i vitit të kaluar i kanë marrë dëmshpërblimet dhe tanimë kanë kushte për jetesë në shtëpitë e tyre dhe sipas vendimit të qeverisë duhet të lëshojnë konviktin. Madje, Ibrahimi tha se posedon informacione se në Konviktin “Seniç” qëndrojnë edhe njerëz të cilët nuk janë nga rajoni i vërshuar.
REJHANE BUSHI-METAJ
