Maqedoni
Tetovë, shkarkohet drejtori Baçevski, ishte pjesë e incidenteve të 27 prillit në Kuvend
12.05.2017 16:00
Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ka shkarkuar drejtorin e Shkollës së Mesme “Mosha Pijade”, Aleksandër Baçevskin, pasi, siç thuhet në vendim...

Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ka shkarkuar drejtorin e Shkollës së Mesme “Mosha Pijade”, Aleksandër Baçevskin, pasi, siç thuhet në vendim, i njëjti është përfshirë dhe ka qenë pjesëmarrës i ngjarjeve të dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë.
Sipas pamjeve të publikuara nga kamerat e sigurisë në Kuvend, drejtori Baçevski natën e 27 prillit ka qenë në turmën e sulmuesve shumë afër liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, dhe liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, mori vendimin për të shkarkuar Baçefskin nga posti i drejtorit të shkollës.
“Për shkak të pjesëmarrjes në ndodhitë më 27 prill në Kuvendin e Maqedonisë, gjatë kohës së realizimit të procesit edukativo-arsimor në shkollë dhe marrjen e veprimeve me të cilat i humb vlerat e tij personale dhe pamjen e shkollës në të cilën kryen funksionin si drejtor, Aleksandar Baçevski shkarkohet nga detyra drejtor i Shkollës së Mesme Profesionale “Mosha Pijade” në Tetovë. Vendimi hyn menjëherë në fuqi”,- thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Gjatë viteve që ka kryer funksionin e drejtorit të Shkollës “Mosha Pijade”, Aleksandër Baçevski ka qenë i njohur për disa veprime të cilat kanë ngjallur reagime të shumta, siç ishin vendimet për të dënuar profesorët shqiptarë në këtë shkollë për dëmet që i kanë shkaktuar nxënësit. Një vendim i tillë i marrë nga Baçevski ishte anuluar nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit në komunën e Tetovës.
VISAR SADIKI
