Maqedoni
Dita Ndërkombëtare e Infermierisë, mungesë e madhe e infermiereve në vend
12.05.2017 16:32
Moszgjidhja e statusit të infermiereve në spitalet e vendit dhe pagat shumë të ulëta...

Moszgjidhja e statusit të infermiereve në spitalet e vendit dhe pagat shumë të ulëta kanë bërë që një numër i madh i këtij kuadri të ikin jashtë vendit, në kërkim të një perspektive më të mirë. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë u potencua se ka mungesë shumë të madhe të infermiereve në Shtëpitë e Shëndetit Publik në vend.
"Një numër i madh i infermiereve nëpër spitale për një kohë të gjatë punojnë pa status të zgjidhur, me të ardhura shumë të ulëta mujore dhe ky është një problem shumë i madh. Kjo në njëfarë mënyre shkakton destimulim tek infermieret, ndërsa Europa ka mungesë të këtij kuadri. Ne i prodhojmë dhe edukojmë derisa kanë status të vollunterëve, pastaj ata si kuadër i gatshëm ikin jashtë shtetit",- theksoi infermierja kryesore në Spitalin "8 Shtatori”, Gordana Beshliovska.
Sipas të dhënave, në vend ka prej 7 deri në 8 mijë infermiere, ndërsa ky numër duhet të rritet dyfish, pavarësisht faktit se Maqedonia nuk premton shumë për këtë kuadër të personelit shëndetësor.
"Ka mungesë të madhe të infermiereve, mungesa e të cilave shumë ndjehet në të gjitha spitalet. Veçanërisht në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit "8 Shtatori", për të cilin mendoj se para disa muajve e dëgjuat problemin tonë, ne në spital për momentin kemi reparte të mbyllura, kemi reduktim të punës në sallat e operacionit, për fat të keq",- theksoi infermierja kryesore në Spitalin "8 Shtatori”, Gordana Beshliovska.
Beshliovska tha se vetëm në Spitalin e Qytetit "8 Shtatori" mungojnë 180 infermiere, ndërsa për momentin punojnë rreth 300 prej tyre. Infermieret shpresojnë se së shpejti do të formojnë një odë të infermiereve, përmes të cilës shumë më lehtë do të mund t'i zgjidhin problemet me të cilat përballet profesioni i tyre.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
