Maqedoni
Xhaferi: Seanca konstituive, pas dakordimit
12.05.2017 16:50
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, ende nuk ka vendosur se kur do të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive....

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, ende nuk ka vendosur se kur do të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive, në të cilën duhet të zgjidhen nënkryetarët dhe përbërja e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve. Kjo çështje do të shtrohet në takimin koordinues të së hënës me koordinatorët e grupeve parlamentare, përkatësisht me përfaqësuesit e partive politike parlamentare.
“Do ta thërras vazhdimin e seancës nëse gjatë koordinimit biem dakord që të ndryshojë dinamika e deritanishme e seancës”,- tha Xhaferi gjatë takimit me gazetarë, duke aluduar në obstruksionin e deputetëve të koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE dhe kryesuesin me seancën konstituive, Trajko Veljanovskin, të cilët në kundërshtim me Rregulloren për punë të Kuvendit, në 20 vazhdime, diskutonin rreth të ashtuquajturës “Platforma nga Tirana”.
Dhe, përderisa shqyrtohet mundësia për vazhdimin e seancës konstituive, seanca për shpalljen e zgjedhjeve lokale fiton në prioritet, madje mund të mbahet para seancës për zgjedhjen e Qeverisë dhe Programit qeveritar.
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, thotë se është i gatshëm ta thërrasë një seancë të tillë nëse subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend bien dakord për datën e zgjedhjeve lokale. Kjo çështje është akute, pasi konform normave ligjore pozitive, sot përfundon mandati i kryetarëve dhe këshillave vendorë, ndërsa zgjedhjet duhej të mbaheshin këtë të diel. Kryeparlamentari ka njoftuar krerët e partive më të mëdha të përfaqësuara në Kuvend për këtë çështje dhe ka kërkuar angazhim politik, që të mund të plotësojë detyrimin kushtetues dhe të shpall zgjedhjet lokale.
Sa i përket seancës për formimin e qeverisë, Xhaferi veç më ka marrë qëndrim të prerë. Nuk do të bëhet pjesë e zinxhirit nëse presidenti Ivanov shkel Kushtetutën dhe nuk ndan mandatin brenda 10 ditëshit nga dërgimi i letrës së dytë informuese për formimin e shumicës parlamentare.
“Seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re dhe për miratimin e Programit qeveritar do të mbahet brenda 15 ditëve nga dita e dorëzimit të propozimit për përbërjen e qeverisë së re dhe propozim/programit qeveritar, në Kuvend. E gjithë kjo pasi të kalojnë 10 ditët që presidenti ka në dispozicion për të ndarë mandatin.
SHPËTIM NUREDINI
