Maqedoni
Zhbogar: BE-ja pret që së shpejti të formohet Qeveria e re; Xhaferi: Ivanov ta respektojë Kushtetutën për mandatin
12.05.2017 17:13
Prioritet i Maqedonisë është formimi sa më i shpejtë i Qeverisë së re, vlerësojnë ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian...

Prioritet i Maqedonisë është formimi sa më i shpejtë i Qeverisë së re, vlerësojnë ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian, qëndrim të cilin ia përcollën në takimin e sotëm edhe kryeparlamentarit, Talat Xhaferi.
Ambasadori i BE-së, Samoil Zhbogar, duke e përshëndetur vizitën e Xhaferit në Bruksel dhe takimet me përfaqësuesit e lartë të BE-së, ka theksuar se: “BE-ja pret që së shpejti të formohet Qeveria e re, kurse më pas, së bashku me Kuvendin dhe institucionet tjera shtetërore, Republika e Maqedonisë të kthehet në proceset euroatlantike, që nënkuptojnë vazhdimin e reformave”,- thuhet në komunikatën e lëshuar pas takimit nga kabineti i Xhaferit.
Në këtë kontekst, kryeparlamentari ka theksuar se: “Prioritet është gjithsesi zgjedhja e Qeverisë së re, me çka pres që presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ta respektojë Kushtetutën, pasi që bëhet fjalë për obligime institucionale dhe nuk është çështje e vullnetit personal”.
Në takim shumica e ambasadorëve kanë parashtruar pyetje konkrete lidhur me prioritetet në punën e Kuvendit, respektivisht pozita-opozita, transparenca e Kuvendit ndaj qytetarëve dhe publikut dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile.
Duke iu referuar pritjeve të opinionit vendor dhe ndërkombëtar për nevojën e kthimit të kredibilitetit të Kuvendit, kryetari Xhaferi theksoi se personalisht do të angazhohet që ai perceptim të ndryshojë, por kjo nuk mund të ndodhë brenda natës dhe përveç angazhimit personal, nevojitet angazhim aktiv i të gjithë 120 deputetëve, citohet të ketë deklaruar Xhaferi.
GYLTENE SINANI
