Maqedoni

Zaev: Zvarritja e mandatit bllokon proceset; Zgjedhjet lokale, VMRO-DPMNE me propozime për mbajtjen e tyre

12.05.2017 17:37

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, pret në afatin e përcaktuar me ligj të marrë mandatin, ndërsa deri në fund të muajit të formojë kabinetin e ri qeverisës...

Zaev tha se po përgatit një tekst me të cilin do ta bindë presidentin, Gjorge Ivanov, për sa u përket dilemave të tij të cilat i ka shfaqur si pengesë për mosdhënien e mandatit. Lidhur me skadimin e mandatit të krerëve dhe këshillave komunalë, Zaevi tha se shumica parlamentare do të ofrojë zgjidhje duke iu përmbajtur rregullave dhe procedurave parlamentare.
 
“Problemi është i zgjidhshëm. Porosis qytetarët se shumica parlamentare ka ndërmend ta zgjidhë këtë problem, por duam që t’i respektojmë të gjitha veprimet praktike për caktimin e terminit të ri të zgjedhjeve dhe procedurat për konvokimin e kuvendit. Pres, nëse jo, liderët të paktën të takohen me përfaqësuesit e partive parlamentare që të merren vesh lidhur me terminin e ri të zgjedhjeve dhe formimin e dy komisioneve të Kuvendit, atë juridiko-ligjvënës dhe për sistemin politik, në mënyrë që të konvokohet mbledhja e Kuvendit, që të mund të shtyhen zgjedhjet lokale”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Nga VMRO-DPMNE kanë dalë me propozime për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
 
“Termini i parë për të cilin mendojmë se është i përshtatshëm për mbajtjen e shpejtë të zgjedhjeve lokale, që është në interes të qytetarëve, do të ishte 2 korriku. Nëse shumica parlamentare nuk është e gatshme për zgjedhje të shpejta në korrik, termini i dytë i cili është i pranueshëm është mesi i shtatorit, përkatësisht mbajtja e zgjedhjeve lokale më 17 apo 24 shtator. Nëse shumica parlamentare në përbërje prej LSDM-së, BDI-së, BESËS dhe Aleancës për Shqiptarët nuk është e gatshme për zgjedhje edhe në mes të shtatorit, atëherë termini i tretë do të ishte mbajtja e tyre më 15 tetor”,- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
 
Mandati i krerëve të këshillave komunalë skadon ditën e hënë, më 15 maj. Kodi zgjedhor parashikon mbajtjen e tyre në gjysmën e parë të muajit maj, por kjo nuk ndodhi për shkak të krizës politike. 
 
NAIM RAMADANI