Maqedoni
Dhuna në Kuvend, MPB: Kallëzim penal për 7 persona
12.05.2017 17:55
MPB ka identifikuar edhe 7 persona të involvuar në incidentet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, ndaj të cilëve është ngritur kallëzim penal...

Për 4 nga këta persona ekziston dyshimi se kanë kryer vepër penale “pjesëmarrje në turmë, që do ta ndalojë personin zyrtar të kryejë detyrën”, ndërsa për 3 të tjerët ekziston dyshimi se kanë kryer vepër penale “pjesëmarrje në turmë që do të bëjë vepër penale”.
“Paditë penale janë ngritur ndaj D. T. (42 vjeç), N. P. (39 vjeç), B. G. (43 vjeç), që të gjithë nga Shkupi dhe G. A. (43 vjeçar) nga Velesi. Personat e lartpërmendur dyshohen për kryerjen e veprës penale “pjesëmarrje në turmë që do të pengojë personin zyrtar në kryerjen e veprimeve zyrtare”, në bazë të nenit 384 nga Kodi Penal i Republikës së Maqedonisë. Derisa kundër A. P. (39 vjeç), I. K. (37) dhe N. V. (39 vjeç), që të gjithë nga Shkupi, për shkak të dyshimeve se kanë kryer vepër penale “pjesëmarrje në turmë që do të kryejë vepër penale””,- thuhet në njoftimin e MPB-së.
Siç bën të ditur MPB, të akuzuarit pasi që me dhunë e kanë kaluar kordonin policor, kanë hyrë në Kuvend, në sallën nr. 3, ku është mbajtur konferenca, dhe i kanë sulmuar deputetët dhe një pjesë të sigurimit, duke përdorur mjete të ndryshme.
Ndërkohë, në rrjetet sociale vazhdojnë publikimet e video-regjistrimeve nga ngjarjet e 27 prillit në Kuvend. Së fundmi është publikuar një video ku pretendohet të dëshmohet se si një nga protestuesit, i cili hyn në pres-qendrën e Kuvendit, në dorë mban armë.
Megjithatë, nga videoja e publikuar nuk shihet qartë se çka saktësisht mban protestuesi, megjithëse edhe një pjesë e dëshmitarëve të incidenteve në Kuvend kanë folur për protestues të armatosur, por diçka e tillë nuk është konfirmuar nga organet e rendit. MPB thotë se në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike vazhdojnë në identifikimin e personave që kanë kryer vepër penale në Kuvend.
Derisa vetë ministri, Agim Nuihu, ka bërë të ditur se ka pasur tentim për zhdukjen e hardisqeve të regjistrimeve nga kamerat e sigurisë nga dy punonjës të shërbimit sekret të cilët me urdhër nga një epror i lartë i kanë marrë hardisqet nga kamerat e sigurisë. Por, Nuhiu për AlsatM ka bërë të ditur se MPB i ka siguruar hardisqet ndihmëse nga kamerat e sigurisë së Parlamentit, ndërsa ndaj personave në fjalë do të vijojnë procedurat e mëtejshme penale.
GAZMEND KURTISHI
