Maqedoni
Zaev në Prokurori për dhunën në Kuvend, kërkon dënim për dhunuesit dhe organizatorët
12.05.2017 18:14
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në cilësinë e palës së dëmtuar u paraqit në Prokurorinë Themelore për ngjarjen e 27 prillit në Kuvend...

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në cilësinë e palës së dëmtuar u paraqit në Prokurorinë Themelore për ngjarjen e 27 prillit në Kuvend, kur u sulmuan deputetët e gazetarët dhe u demolua Kuvendi Republikan.
Ai me këtë rast akuzoi gjashtë deputetë të VMRO-DPMNE-së të cilët tha se kanë organizuar hyrjen e masës në Kuvend me plan dhe qëllim që të kryejnë vrasje. Zaev pret që me drejtësinë të përballen të gjithë ata persona ndaj të cilëve ekzistojnë dëshmi si kryerës të dhunës, organizatorë dhe porositës të terrorizimit që ndodhi brenda dhe jashtë Kuvendit.
“Gjashtë deputetë të VMRO-DPMNE-së në mënyrë direkte morën pjesë në organizimin për hapjen e dyerve. Dy deputetë nga VMRO-DPMNE kanë marrë pjesë në largimin e siguresave prej çelikut të dyerve të Kuvendit, ndërkaq katër të tjerë kanë dhënë udhëzime të drejtpërdrejta se si të shkohet deri te pres-salla ku kanë qenë deputetët e shumicës parlamentare. Besoj se kjo më tej do të vërtetohet gjatë procedurës. Këtë e flas në bazë të dëshmive të cilat shihen dhe nuk e di se si ata kolegë deputetë do të mund të na shohin në sy”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev tha se nga pesë hyrjet që ka Kuvendi, protestuesit kanë tentuar të futen nga të gjitha anët, por arritën të futen në Kuvend vetëm nga hyrja kryesore, për shkak se disa deputetë i hapën dyert. Ndërkohë që në hyrjet tjera dyert ishin të mbyllura dhe sigurimi i Kuvendit e bëri punën e vet, tha Zaev.
Dëshminë e tij në prokurori e paraqiti edhe deputeti socialdemokrat, Oliver Spasovski, i cili po ashtu tha se Prokuroria duhet të kërkojë përgjegjësi ndaj të gjithë atyre që më 27 prill prishën rendin kushtetues në vend.
“Pres që Prokuroria Publike e Maqedonisë shumë seriozisht t’i qaset kësaj ngjarje. Për hyrjen në objekt, për Maqedoninë dhe prishjen e rendit kushtetues të shtetit pa kompromis duhet të kërkohet përgjegjësi prej të gjithëve, si prej dhunuesve ashtu edhe prej organizuesve që në grupe hyrën në Kuvend të vrasin deputetë, ashtu duhet të këtë edhe përgjegjësi serioze komanda e MPB-së për të gjithë pjesëtarët që nuk vepruan dhe nuk ishin në funksion të mbrojtjes”,- theksoi deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
Gjatë ditës në Prokurori ka dëshmuar edhe deputetja, Radmilla Sheqerinska. Ndërsa pritet që dëshminë e tyre ta japin edhe deputetët tjerë që më 27 prill ishin cak i sulmeve në Kuvend, përfshirë edhe liderin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, i cili ishte deputeti më i lënduari në këtë rast.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
