Majami shumë pranë finales në NBA
Majami është shumë pranë finales së madhe në NBA ligën profesioniste të basketbollit amerikan...

Majami është shumë pranë finales së madhe në NBA ligën profesioniste të basketbollit amerikan, pasi në ndeshjen e katërt të finales së Lindjes ka shënuar edhe fitoren e tretë përballë Indiana Pejsers. “Hitsat” mbrëmë vonë shënuan fitore me rezultatin 102:90, duke thelluar në 3:1 avantazhin e përgjithshëm.
Në këtë mënyrë, të mërkurën, skuadra nga Florida ka “mattch point-in” e parë për të prerë biletën e finale së madhe të NBA. E gjithë merita për këtë sukses shkon te i shkëlqyeshmi LeBron Xhejms që mbrëmë numëroi deri në 32 pikë, 14 prej të cilave në periudhën e tretë ku “Hitsat” dominuan në çdo centimetër të parketit.
Një bonus i madh për kampionët në fuqi është edhe rilindja e Kris Bosh i cili me 25 pikët e shënuara paralajmëroi rikthimin e tij pas problemeve në tre ndeshjet e para. Në kampin kundërshtar, Poll Xhorxh ishte më i spikaturi duke shënuar 23 pikë, ndërsa David Uest shtoi edhe 20 të tjera.
Në mbremjen e keqe në “American Airlines Arena”, Indiana regjistroi shifra që i ngjajnë një skuadre amatore, pasi humbi në total 14 topa me Lance Stefenson dhe Poll Xhorxh, të cilët ishin nën hijen e mbretit Xhejms. Nëse arrijnë që të kualifikohen për në finalen e madhe të NBA-së, LeBron Xhejms së bashku me shokë kanë mundësinë të barazojnë rekordin e Bostonit të Leri Bird për të siguruar finalen e katërt rradhazi.
SAMI ADEMI