Futboll

Maqedonia humbi nga Kameruni

27.05.2014 18:41

Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll nuk ka arritur që ti hakmerret kombëtares së Kamerunit për disfatën e vitit 2011 në Shkup...

Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll nuk ka arritur që ti hakmerret kombëtares së Kamerunit për disfatën e vitit 2011 në Shkup, pasi edhe në ndeshjen e dytë të zhvilluar në Kufshtajn të Austrisë kundër kësaj skuadre afrikane pësoi disfatë, kësaj rradhe me rezultatin 0:2.

Kameruni në këtë ndeshje ishte dukshëm një kundërshtarë më i mirë se Maqedonia, ndërsa një gjë të tillë dëshmon edhe zotërimi i topit në fushë, ku në pjesën më të madhe të lojës tregonte 62% ndaj 38%, ndërsa një statistikë tjetër që dëshmon një gjë të tillë janë edhe goditjet në drejtim të portës kundërshtare (6-1) në favor të Kamerunit.

Pas pjesës së parë pa gola, ishte futbollisti i Fenerbahçes, Pjer Uebo që shënoi në minutën e 52-të golin e parë në rrjetën e Paçovskit, ndërsa rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Maqedonia 0, Kameruni 2 e vendosi Erik Çupo Moting në minutën e 86-të.

Startues në këtë ndeshje te përfaqësuesja e Maqedonisë ishin edhe dy futbollistët shqiptarë, Agim Ibraimi dhe Besart Abdurrahimi, për të cilin ishte kjo ndeshja e parë me fanellën e Maqedonisë, njëjtë sikurse edhe për Ardian Cuculin i cili u inkuadrua në lojë në minutën e 26-të kur zëvendësoi futbollistin e lënduar, Robert Popov dhe Taulant Seferin që u inkuadrua në pjesën e dytë. Ndeshjen e rradhës Maqedonia do ta zhvillojë me 31 Maj në Rieti të Italisë kundër Katarit.

SAMI ADEMI