Francë, Macron bëri betimin si president
Presidenti Emmanuel Macron është betuar këtë të dielë në pallatin “Elysee mes masave tejet të përforcuara të sigurisë anembanë Parisit....

Presidenti Emmanuel Macron është betuar këtë të dielë në pallatin “Elysee mes masave tejet të përforcuara të sigurisë anembanë Parisit.
Kandidati i pavarur Macron fitoi bindshëm në balotazhin e fundjavës së kaluar, përballë rivales së tij nga ekstremi i djathtë, Marine Le Pen.
Gjate fjalimit, Presidenti Macron tha se do të rivendosë pozitat globale të Francës. Sipas tij Franca do të jetë e fuqishme vetëm nëse është e suksesshme dhe e begatë.
“Francezët kanë zgjedhur më 7 maj, shpresën. Ne duhet t’u kthejmë francezëve shijen për të ardhmen dhe krenarinë për atë që francezët janë. E gjithë bota do t’i kushtojë vëmendje asaj që mendon e thotë Franca, sepse ne të gjithë së bashku do të shkojmë përtej frikës dhe ankthit. Së bashku do të jemi shembull i një populli që di të afirmojë vlerat dhe parimet e tyre, ato të demokracisë dhe republikës” – u shpreh presidenti i ri i Francës, Emanuel Makron.
Ai ka premtuar se do të “punojë për të gjithë” dhe thotë se programi i tij do të shërbejë për të majtë e të djathtë. Java e parë e Macronit në detyrë do të jetë e ngarkuar.
Ai do të niset për në Berlin të hënën për t’u takuar me Kancelaren Angela Merkel, si dhe për të treguar angazhimin e tij ndaj Bashkimit Europian.
Ai pritet gjithashtu të emërojë një kryeministër të vendit. Macron përballet me disa sfida të rëndësishme, përfshi papunësinë e lartë veçanërisht mes të rinjve në Francë, si dhe rritjen ekonomike tejet të ulët.
Synimet e tij janë të forcojë investimet dhe të krijojë një model të ri rritjeje ekonomike, që do të rrisë mirëqenien dhe mbrojë mjedisin. (Besim Abdullahu, TVM2)
