Maqedoni

Psikologët, fëmijët kanë nevojë për kujdes më të madh prindëror

27.05.2014 18:55

Mos përkushtimi i nevojshëm ndaj fëmijëve për shkak të karrierës, kalimi i një kohe jo të mjaftueshme dhe jo të frytshme me fëmijët tanë...

Mos përkushtimi i nevojshëm ndaj fëmijëve për shkak të karrierës, kalimi i një kohe jo të mjaftueshme dhe jo të frytshme me fëmijët tanë, mund të sjellin çrregullime të mëdha në personalitetin e fëmijëve, madje të vijë deri në paraqitjen e autizmit. 
 
“Duhet të trajtohet në aspekt profesional dhe kushtimisht thënë si çrregullim i personalitetit, ne mendojmë se fëmijët e goditur nga autizmi, në një segment të caktuar druajnë të zhvillojnë komunikim, druajnë të paraqesin një lloj aktiviteti kyçës brenda çështjeve apo aktiviteteve të përditshme, së paku ato kanë ndjenjën e frikës dhe prezencës që lidhen me njërin prind, mungesa e tyre është shqetësuese në masa të mëdha sa që mund të përfundojë me të qara dhe çështje tjera në këtë drejtim”, deklaroi psikologu Musa Musai.
 
Fëmija është në radhë të parë, thotë sociologia Sadete Villa, e cila u bën thirrje prindërve që primare të kenë përkushtimin ndaj fëmijëve. 
 
“Kohën që ne nuk jemi prezent para fëmijëve, është mirë që atë kohë ne ta kompensojmë në të ardhmen ose mundësisht sa më shumë t’u përkushtohemi. Momentin që mendojmë se jemi më të lirë, të vrapojmë pas fëmijëve dhe t’u përkushtohemi atyre”, u shpreh sociologia Sadete Villa.
 
Në raste kur ky fenomen negativ është prezent te fëmija, atëherë duhet intervenuar në kohë, rekomandon psikologu Musa Musai.
 
“Nëse kemi çrregullim të personalitetit, atëherë është një problematikë më e vështirë, çështje klinike që duhet të trajtohet. Ndërkohë në aspektin social mund t’u ndihmohet me një trajtim profesional, mund t’u ndihmohet përmes përkujdesit, përmes dhënies së shërbimeve kushtimisht thënë më profesionale, për ta zbutur deri diku në një masë të caktuar përfshirjen nga kjo mënyrë e çrregullimeve të mundshme”, tha psikologu Musa Musai.
 
Prindërit duhet pasur kujdes se ç’farë lidhje kanë krijuar më fëmijët e tyre. Nëse në mes tyre ka lidhje atashuese, fëmija prezencën e prindërit e ndjen si siguri dhe mungesën e sheh si humbje të tërësishme, prandaj duhet të detektohen arsyet për të diagnostikuar një situatë të tillë.
 
RINA TURKESHI-SAITI