Maqedoni
Ngritet kompleksi memorial “Dëshmorët dhe martirët e Brezës”
27.05.2014 18:58
Dje në fshatin Brezë është vënë gurthemeli për ndërtimin e kompleksit memorial “Dëshmorët dhe martirët e Brezës”...

Dje në fshatin Brezë është vënë gurthemeli për ndërtimin e kompleksit memorial “Dëshmorët dhe martirët e Brezës”. Realizues i këtij projekti është shoqata “Zëri i Brezës”, projekt i cili ka qenë njëra ndër qëllimet e para të kësaj Shoqate që nga themelimi.
“Jemi tubuar për të ngritur gurthemelin e kompleksit memorial këtu në Brezë. Kemi nderin të nderojmë të gjithë burrat dhe nënat breznjane, që bëjnë sakrificat e mëdha për një të ardhme më të mirë për Brezën”, deklaroi djali i dëshmorit, Ismet Bajrami.
“Jemi mbledhur në qendër të fshatit Brezë për një eveniment shumë të rëndësishëm, siç e di edhe opinioni, është formuar Shoqata e Brezës dhe një ndër aktivitetet e para të saj ka qenë përurimi dhe vënia e gurthemelit të kompleksit memorial “Dëshmorët e Brezës nëpër shekuj”, theksoi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Muzafer Bislimi.
Para të pranishmëve foli edhe kryetari i Shoqatës “Zëri i Brezës”, Ramiz Nuhiu dhe kryetari i Këshillit Organizativ për ngritjen e kësaj qendre, Isuf Bislimi, të cilët theksuan se Breza ka histori të gjatë të kontributit për çështjen kombëtare dhe si rrjedhojë edhe një numër të madh dëshmorësh në të gjitha lëvizjet kombëtare.
Edhe të shpërngulurit e këtij fshati para shumë dekadash në Turqi, kanë formuar Shoqatën simotra, e cila bashkëpunon në financimin e këtij kompleksi memorial.
FLORIJE KAMBERI
