Itali, shkatërrohet klani mafioz, kontrollonte qendrën e emigrantëve
Autoritetet policore italiane në bashkëpunim me Policinë Financiare e Drejtorinë e Përgjithshme Antimafia...

Autoritetet policore italiane në bashkëpunim me Policinë Financiare e Drejtorinë e Përgjithshme Antimafia kanë ekzekutuar një mega operacion policor, i cili ka çuar në shkatërrimin e një klani të mafias kalabreze “Ndragheta”, i cili kishte në zotërim qendrën e emigrantëve në komunën Isola Capo Rizzuto, në provincën e Krotones. Operacioni i koduar “Jonny”, në të cilin morën pjesë rreth 500 agjentë të policisë, ka çuar në arrestimin e 68 personave anëtarë të klanit mafioz Arena, një nga më historikët e Ndraghetas kalabreze në këtë territor.
Hetimet e policisë italiane kanë vërtetuar se klani Arena kontrollonte me qëllime përfitimi qendrën e emigrantëve në qytezën e Isola Capo Rizzuto.
Kjo qendër emigrantësh është një nga kampet më të mëdha të pritjes së emigrantëve në Europë. Akuza ndaj të arrestuarve është falsifikim dokumentacioni publik, mashtrim e përvetësim në dëm të shtetit, mashtrim fiskal, pjesëmarrje në aktivitet mafioz dhe armëmbajtje pa leje.
Mes të arrestuarve janë dhe kreu i qendrës së mikpritjes së emigrantëve si dhe prifti i kësaj qyteze, Edoardo Scordio.
