Maqedoni
Elezi: Urgjentisht të vazhdohet mandati i pushtetit vendor
15.05.2017 14:35
Ministrja e Vetëqeverisjes Lokale, Shyrete Elezi, doli me apel që urgjentisht të vazhdohet mandati i kryetarëve të komunave dhe anëtarëve të këshillave....

“Prej nesër kryetarët dhe këshillat e të gjitha komunave janë pa status të definuar juridik, ndërsa qytetarët janë në dilemë a do të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre para organeve të njësive të vetëqeverisjes lokale nëpërmjet procedurave të cilat i kanë filluar apo kanë nevojë urgjente për to. Administrata lokale dhe shërbimet publike të nivelit lokal janë të brengosur për pagat e tyre, si dhe për mënyrën se si në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë t i kryejnë obligimet e tyre në mënyrë të pandërprerë, në shërbim të qytetarëve”,- thuhet në komunikatën e ministres Elezi.
Ajo po ashtu ka bërë apel që në këto momente dramatike për funksionimin e pushtetit lokal dhe sigurimin e shërbimeve themelore për qytetarët, “të mos humbet kohë në bisedime të gjata për terminin e mbajtjes së zgjedhjeve, por menjëherë të ketë qasje me ndryshime ligjore me të cilat para së gjithash do të mundësohet funksionim i organeve të komunave dhe në mënyrë të pandërprerë të ofrohen shërbimet lokale”.
