Botë
Macron emëron kryeministrin e ri, kandidatin nga opozita konservatore
15.05.2017 14:47
Emanuel Macron ka nisur ditën e parë të punës së tij si president me zgjedhjen e një kryeministri, si pikë të parë të agjendës së tij.

Emërimi është thelbësor për Macronin, i cili duhet të bëjë një performancë të mirë në zgjedhjet parlamentare të muajit të ardhshëm, në mënyrë që të mund të çojë përpara reformat e planifikuara ekonomike.
Përzgjedhja e Édouard Philippe kryebashkiak i Le Havre, një republikan i qendrës së djathtë, tregon se Macron po përpiqet të tërheqë në kampin e tij sa më shumë figura kyçe nga opozita konservatore.
Më pas, Makron do të udhëtojë drejt Gjermanisë për një takim me kancelarin, Angela Merkel.
Presidenti Macron, që njihet për këndvështrimet e tij të forta proeuropiane, ka thënë se do të reformojë Eurozonën, t’i japë asaj një buxhet të përbashkët dhe ministrin e saj të Financave, por për këtë do të ketë nevojë për mbështetjen e Gjermanisë.
Kjo e fundit, nga ana e saj, kërkon të shikojë Francën të kryejë ndryshime strukturore, si reduktimi i shpenzimeve publike dhe reformimi i tregut të saj të ngurtë të punës.
39-vjeçari, ish-bankier dhe ish-ministër ekonomie, u betua të dielën në një ceremoni në Pallatin “Elysee”. Ai premtoi të bindë njerëzit se Franca është në prag të një rilindjeje të madhe.
