Maqedoni

Luftimet në Kumanovë, pritet ekstradimi i ish-kreut të anti-terrorit

15.05.2017 15:00

Në Greqi, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë këtë javë kërkesën për ekstradim të ish-shefit të njësisë anti-terror të Maqedonisë, Dejan Vuçoviç...

Vuçoviç u arrestua në Selanik, në shkurt të këtij viti, pasi ndaj tij ishte shpallur urdhër-arresti ndërkombëtar që në shtator të vitit të kaluar, por Vuçoçiç u arratis nga paraburgimi.
 
Ai akuzohet për trafik armësh dhe droge, pasi në automjetin e tij të markës “Volvo” u gjet një granatë dhe më shumë se 800 gram kanabis. Edhe pse gjykata e Selanikut urdhëroi ekstradimin e tij në bazë të kërkesës së dërguar prej autoriteteve maqedonase, Vuçoviç apeloi ndaj vendimit dhe tani pritet se çfarë do të konkludojë Gjykata e Lartë, që do ta shqyrtojë apelimin të mërkurën.
 
Krahas apelimit, Vuçoviç ka bërë edhe kërkesë për azil politik në Greqi. Ai pretendon që në rast të kthimit në Maqedoni rrezikohet me tortura, madje dhe me vdekje. 30-vjeçari ka pasur rol kyç në operacionin e zhvilluar në maj 2015 në një lagje të banuar nga shqiptarët, në qytetin e Kumanovës, ku njësi qeveritare zhvilluan për dy ditë luftime të ashpra me grupime të armatosura, që u tha se u përkisnin strukturave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
 
“Në atë operacion kam qenë me detyrën e komandantit të njësisë së vendosjes së rendit”,- shënon në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës së Lartë, Vuçoviç. Ai pretendon se integriteti i tij rrezikohet për shkak të situatës së trazuar në Maqedoni dhe zgjedhjes së politikanëve shqiptarë në poste të rëndësishme shtetërore, pasi Vuçoviç konsiderohet përgjegjës për vrasjen e luftëtarëve të UÇK-së në Kumanovë.