Botë
Microsoft paralajmëron qeveritë për sulmin kibernetik në 150 vende
15.05.2017 15:17
Sulmi kibernetik që shënjestroi të premten 150 shtete, e që vazhdoi edhe sot, duhet konsideruar si një sinjal alarmi për qeveritë, paralajmëron gjiganti Microsoft...

Kompania ka fajësuar qeveritë për regjistrimin e të dhënave në programe kompjuterike që mund të bëhen lehtësisht të aksesueshme nga hakerat. Kompania deklaron se virusi me të cilin janë sulmuar të paktën 200 mijë përdorues në mbarë botën ka gjetur një dobësi në sistemin e Microsoft Windows, që i është vjedhur inteligjencës amerikane.
Virusi bllokonte kompjuterët e përdoruesve, duke kërkuar një pagesë prej 300 dollarësh përmes monedhës elektronike Bitcoin. Sipas ekspertëve të sigurisë, hakerat kanë arritur të përfitojnë të paktën 38 mijë dollarë nga sulmi i realizuar njëkohësisht në 150 shtete të Botës.
Sulmi i realizuar përmes të ashtuquajturave “krimba kompjuterikë” i kërcënonte përdoruesit se në rast mospagese, atyre do t’iu fshihen të gjitha dokumentet në kompjuter brenda shtatë ditëve. Vendet më të goditura deri tani rezultojnë të jenë Britania dhe Rusia.
