Maqedoni

Arifi: urgjentisht të caktohet data e zgjedhjeve; Qytetarët: bllokimi i komunave na bllokon të gjithëve

15.05.2017 15:58

Mandati i kryetarëve të komunave dhe këshillave komunalë skadoi edhe zyrtarisht...

Ligjërisht tashmë ata nuk do të kenë më të drejtë të marrin vendime dhe të nënshkruajnë dokumente që duhet domosdoshmërisht të kenë firmën e krerëve të komunave.
 
Krerët e deritanishëm të komunave kërkojnë zgjidhje urgjente të këtij problemi. Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, thotë se edhe përkundër skadimit të mandatit, qytetarët do të marrin shërbimet e tyre komunale.
 
“Partitë politike sa më shpejt, urgjentisht, të mblidhen dhe të caktojnë datën e zgjedhjeve, d.m.th. një datë për zgjedhje duhet të ketë, a do të jetë ajo në qershor, korrik, shtator, nuk duhet të ngelim pa datë për zgjedhje, se mendoj se nuk është në rregull, ajo që është me rëndësi të caktohet data e zgjedhjeve dhe normalisht edhe çështja e vazhdimit të mandatit deri në zgjedhje. Është një situatë e re, të shohim, por qytetarët ashtu si ka qenë gjithmonë komuna ashtu do vazhdojë të jetë, por normalisht me ngushtime ligjore që do kemi”,- deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Edhe qytetarët kërkojnë zgjidhje të shpejtë të këtij problemi, ata zgjidhjen e shohin tek formimi i qeverisë së re.
 
“Sipas kësaj tollovie politike, për një inatosje të qytetarëve që bënë vonesën për të formuar qeveri të re, tani po ngelin të gjitha punët. Tani duhet zgjidhje, tani më nuk duhet të kthehemi mbrapa ose të ngelim në vend, duhet të ecim para”,- u shpreh një qytetar.
 
“Nuk është mirë, kjo është duke shkuar në shkatërrim, nuk ka perspektivë këtu tek ne. Nëse formohet qeveri e re, ndoshta do të bëhet më mirë. Në kohën e komunizmit shkonim në komunë na e mbyllshin sportelet, tani në demokraci po më keq është”,- theksoi një qytetar.
 
“Kjo nuk është gjë e mirë të bllokohen, për popullatën nuk është e mirë. Pa funksionimin e komunave s’kemi ne si qytetarë si të funksionojmë”,- tha një qytetar.
 
Zyrtarisht, prej nesër asnjë prej sektorëve komunalë nuk mund të procedojë lëndë të reja. 
 
VISAR SADIKI