Maqedoni

Zgjedhjet lokale, anketa e IRI-t: Qytetarët, të pakënaqur me pushtetin lokal

15.05.2017 16:12

Një anketë e publikuar nga Qendra për Hulumtime e Institutit Ndërkombëtar Republikan tregon se shumica e qytetarëve janë të pakënaqur nga pushteti i tyre lokal...

“Partitë politike duhet të gjejnë mënyrë që t’iu drejtohen çështjeve të rëndësishme për votuesit lokalë para zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen më vonë këtë vit", thonë nga Drejtoria rajonale e IRI-t për Europë.
 
Sipas sondazhit, derisa sfidave kombëtare të Maqedonisë iu është përkushtuar shumë vëmendje, shqetësimet mbi punën e qeverive lokale qartë pasqyrohen në këtë sondazh të fundit. 51%  e të anketuarve janë deri diku ose shumë të pakënaqur me punën e kaluar të kryetarëve të komunave, 47%  shprehën qëndrimet e njëjta ndaj këshillave komunalë. 46% janë  të pakënaqur edhe nga administrata e tyre lokale. 37 % e të anketuarve mendojnë se komuna e tyre është duke lëvizur në drejtimin e gabuar, 35%  janë neutralë, vetëm 23%  konsiderojnë se komuna e tyre është duke lëvizur në drejtimin e duhur. 61% e të anketuarve mezi presin të votojnë për zgjedhjet e ardhshme lokale, 21%  janë të gatshëm dhe 5% nuk do të votojnë.
 
Sa i përket partive, 28% e të anketuarve do të votonin për VMRO-në, 16% për LSDM-në, 8% për BDI-në, 7% për BESËN, 2% për PDSh-në dhe Aleancën, 1% për GROM-in dhe PLD-në.
 
Në pyetjen nëse vlerësojnë nëse duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, 44% janë për zgjedhje të reja, 41% vlerësojnë  jo, 15 % nuk e dinë. Sa i përket pyetjes mbi integrimin europian, shumica dërmuese, apo 72%, përkrah anëtarësim në BE dhe 71% janë pro anëtarësimit në NATO.
 
Ky sondazh u zhvillua për Qendrën për Hulumtime të Sondazheve nga Brima. Të dhënat janë mbledhur prej 4 deri më 12 mars 2017, nëpërmjet intervistave ballë për ballë me të anketuarit. Gjithsej 1,108 intervista u plotësuan me mostër që përfaqëson kombësinë, me margjinë të përgjithshme të gabimeve që nuk tejkalon plus-minus 3%, në shtrirje mesatare të nivelit të besueshmërisë prej 95%. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI