Botë
Koreja e Veriut: raketa e testuar mund të bartë një kokë me mbushje bërthamore
15.05.2017 16:28
Pas testimeve të njëpasnjëshme të raketave balistike, Koreja Veriore testimin e kësaj të diele të raketës balistike e ka konsideruar si testin më të suksesshëm raketor...

Sipas Penianit, raketa balistike ka aftësinë për të mbajtur edhe kokë me mbushje bërthamore. Mediat shtetërore të vendit komunist njoftojnë se raketa “Hwasong-12” ka arritur aftësi prej mbi 2100 km dhe ka fluturuar për 787 kilometra.
Pas testimit të suksesshëm të kësaj rakete balistike, Peniani ka bërë një apel tjetër për shtetet e bashkuara që të mos provokojnë më duke iu thënë se toka amerikane dhe operacionet e Uashingtonit në oqeanin Paqësor janë që të gjitha brenda rrezes së raketës balistike.
“Autoritetet e Koresë së Jugut dhe ShBA-të kanë ndarë informacionin e njoftimit të Koresë së Veriut për lartësinë dhe distancën e lëshimit të raketave balistike të djeshme. Megjithatë, ne mendojmë se nevojiten më shumë analiza për të verifikuar pretendimin e Koresë së Veriut se ajo ka arritur përparimin teknik dhe ka siguruar një motor të besueshëm",- deklaroi zëdhënësi ushtarak i Koresë së Jugut, Roh Jae-cheon.
Raketa koreano-veriore raportohet të ketë një trajektore me lartësi të pazakontë nga sipërfaqja e tokës, gjë që dëshmon se mjeti i vënë në provë mund të ketë qenë raketë e re me dy etapa lëshimi, e cila arrin distanca deri në 4.500 km.
Por, derisa Koreja Veriore i gëzohet testit të suksesshëm raketor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia kanë kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të sigurimit të OKB-së. Japonia dhe SHBA-të pritet të kërkojnë shtimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut në mbledhjen që pritet të ndodh nesër.
GAZMEND REXHEPI
