Maqedoni

Sheqerinska dëshmoi për incidentet në Kuvend: Prokuroria të mos bashkëveprojë me dhunuesit

15.05.2017 16:46

Para Prokurorisë Themelore për dhunën e 27 prillit në Kuvend dëshmoi edhe nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska...

Ajo tha se ka përsëritur imazhet e asaj nate dhe dy goditjet që ka përjetuar, goditjen në kokë dhe më pas tërheqjen për flokësh. Për Sheqerinskën është e papranueshme që dhunuesit të ndiqen vetëm për pjesëmarrje në turmë, andaj porositi Prokurorinë që të mos bëhet bashkëpjesëmarrëse e dhunës.
 
“I them Prokurorinë Publike se është e papranueshme kur një grup i dhunuesve godasin mbi jetën tonë, shëndetin, ekzistencën, jo vetëm si deputetë por para së gjithash si qytetarë të këtij shteti. Kur na godasin me mjete të forta me qëllim që të na vrasin, nuk mund që ata të përgjigjen vetëm për një lëndë, “pjesëmarrje në turmë”. Nëse Prokuroria minimizon këto sulme serioze, atëherë do të bëhet bashkëpjesëmarrëse e dhunës politike që promovohet në Maqedoni”,- deklaroi nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla  Sheqerinska.
 
Sipas Sheqerinskës, një pjesë e dhunuesve ishin të paguar, të tjerët e dinin se kah po shkonin dhe çfarë synimi kanë: të sulmojnë, të lëndojnë, dikë edhe ta vrasin. “Nëse për këtë nuk dënohen, atëherë Prokuroria do të lejojë që dhuna të udhëheqë me jetët tona”,- është shprehur Sheqerinska. Deri më tani është identifikuar vetëm një nga dy sulmuesit e saj. Sheqerinska fton organet kompetente që të kapin edhe personin tjetër të cilin ajo thotë se fort mirë e ka njohur në fotografitë e prezantuara. 
 
Për natën e përgjakshme të 27 prillit ka dëshmuar edhe deputetja e koalicionit të LSDM-së, Mileva Gjorgjieva. Ajo ka thënë se demonstruesit  kanë kërcënuar me vrasje. Pritet që edhe deputetë të tjerë të LSDM-së dhe partive tjera, të cilët ishin dëshmitarë të dhunës në Kuvend, të deklarohen para Prokurorisë.
 
MERAL ISMAILI