Maqedoni
Rasti “Trust”, Sead Koçan në liri, shtrihet në kardiologji
15.05.2017 17:43
Gjykata Supreme zyrtarisht informoi se ka anuluar vendimin e Këshillit Penal të Gjykatës Themelore Shkup 1 dhe Gjykatës së Apelit...

Gjykata Supreme zyrtarisht informoi se ka anuluar vendimin e Këshillit Penal të Gjykatës Themelore Shkup 1 dhe Gjykatës së Apelit, me të cilin ishte shqiptuar masë e paraburgimit për Sead Koçanin, i dyshuar nga Prokuroria Speciale për Rastin “Trust”.
Gjykata Supreme shfuqizoi vendimin e paraburgimit me arsyetimin se në Gjykatën Themelore dhe të Apelit kanë vërejtur shkelje ligjore me të cilën pa prova të mjaftueshme i është shqiptuar masa e paraburgimin Sead Koçanit.
“Duke pasur parasysh veprimin suspendues të ankesës, vendimi i Këshillit Penal nuk është bërë i plotfuqishëm, por edhe krahas kësaj, Gjykata jo vetëm që ka dhënë konkluzion të gabuar, por edhe i ka urdhëruar personat e autorizuar zyrtarë nga MPB të ndërmarrin hapa për gjetjen dhe privimin nga liria të Sead Koçanit dhe ta sjellin për vuajtjen e masës së paraburgimit në Shkup”,- theksojnë nga Gjykata Supreme.
Për këtë rast tani do të vendosë Këshilli i ri i Gjykatës Penale i përbërë nga Monika Bahçovanksa, Safija Laliq dhe Ljubinka Bashevska.
Ata tani sërish do të duhet të vendosin për masat e mëtejme, sepse sipas procedurave lënda sërish kthehet në fazën fillestare për të cilën merret vendim për kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe është kundër vendimit të gjykatësit me procedurë paraprake gjyqësore.
Pas shfuqizimit të masës së paraburgimit nga Gjykatës Supreme dhe pas 2 muajve në arrati, Sead Koçan, së bashku me bashkëshorten e tij, të premten në mbrëmje janë kthyer në Maqedoni, nga vendkalimi Tabanoc.
Sipas informatave, Koçan tani është hospitalizuar në Spitalin e Kardiologjisë në Shkup, pasi i njëjti është paraqitur me dhimbje në zemër. Jozyrtarisht është njoftuar se Sead Koçan mbrëmë është pranuar në Klinikën e Kardiologjisë.
Nga Prokuroria Speciale Publike kanë paralajmëruar për të martën njoftimin e masave të mëtejshme për rastin “Trust” ku është i përfshirë afaristi, Sead Koçan.
REXHEP QAMILI
