Maqedoni
Partitë bien dakord, zgjedhjet lokale në tetor
15.05.2017 17:49
Partitë parlamentare kanë arritur marrëveshje për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor...

Partitë parlamentare kanë arritur marrëveshje për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, që zgjedhjet lokale të mbahen në gjysmën e parë të tetorit, ndërsa mandati i kryetarëve të deritanishëm të komunave dhe i këshilltarëve të vazhdohet deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave dhe kryetarëve të komunave. Dakordimi është arritur gjatë koordinimit tek kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, pa prezencën e përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së.
VMRO: Shumica e re të mbajë fjalën
Partia e Gruevskit njoftoi se nuk do t’i përgjigjet ftesës së kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, pasi kontestojnë zgjedhjen e tij, dhe se Xhaferi ka vetëm mandatin e deputetit.
Mirëpo, ka disa ditë që VMRO ka njohur shumicën e re parlamentare, ndërkaq u deklarua pro mbajtjes së zgjedhjeve lokale në tetor.
“VMRO-DPMNE është e gatshme të dalë në zgjedhje edhe në korrik, edhe në tetor, pasi e dimë që populli është në anën tonë dhe e mbështet politikën që nënkupton reforma, projekte dhe mbrojtje të interesave shtetërore dhe kombëtare. Presim që shumica e re parlamentare kësaj here do ta mbajë fjalën, pasi në të kundërtën mund të sjellin në rrezik vetëqeverisjen lokale”,- theksoi Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.
Në ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, fton partitë politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvend, që ta njoftojnë për formimin e grupeve parlamentare dhe në afat sa më të shkurtër të arrijnë marrëveshje për formimin e trupave të punës, që të mund të fillojë ndryshimi i Kodit Zgjedhor.
LSDM: VMRO la qytetarët pa qeveri dhe pa pushtet lokal
LSDM, nga ana tjetër, akuzoi VMRO-DPMNE-në dhe presidentin Ivanov si fajtorë kryesorë që kanë lënë Maqedoninë pa qeveri politike për pesë muaj, ndërsa nga sot edhe pa pushtet lokal.
“Kryesia joserioze e VMRO-DPMNE-së dhe Gjorge Ivanovit e lanë Maqedoninë pesë muaj pa qeveri dhe nga sot qytetarët kanë mbetur edhe pa kryetar komunash dhe pa këshilltarë. Ky duhet të jetë paralajmërimi i fundit për Gjorge Ivanovin, i cili duhet të veprojë urgjentisht dhe të ndajë mandatin për formimin e qeverisë, kryetarit Zoran Zaev”, – qëndron në kumtesën e LSDM-së.
SHPËTIM NUREDINI
