Maqedoni
Qytetarët: Bashkëjetesa të vijë në shprehje jo vetëm në fatkeqësi
27.05.2014 19:06
Bashkëjetesa dhe bashkëpunimi ndëretnik është çelësi i ardhmërisë së një Shteti multietnik

Bashkëjetesa dhe bashkëpunimi ndëretnik është çelësi i ardhmërisë së një Shteti multietnik dhe kjo pas çdo situate po dëshmohet akoma më shumë.
Kështu vlerësojnë qytetarët në vend, të cilët duke u referuar në ndodhitë gjatë përmbytjeve më 25 maj, ndihmën e ofruar nga qytetarët e vlerësojnë si tepër pozitive dhe shtojnë se këto janë dëshmi që shumica e qytetarëve e dëshirojnë bashkëjetesën.
Sonja Ajanovska–Delovska, në letrën e hapur për të falënderuar qytetarët shqiptarë për ndihmën që u dhanë qytetarëve maqedonas që ndodheshin në rrezik, për TVM2 vlerësoi se letra për falënderim deri te qytetarët e Maqedonisë dhe nacionaliteti shqiptar, hasi në interes të madh dhe përkrahje mes qytetarëve të të gjitha moshave, etniteteve dhe vendbanimeve.
“Si pjesëmarrëse në përmbytje isha dëshmitare e ndihmës së padyshimtë, e cila u ofrua nga disa grupe njerëzish, të cilët ndihmonin në mënyrë vullnetare pa u menduar fare se edhe ata vetë mund të lëndohen gjatë shpëtimit. E gjithë kjo ndodhi në periudhë shumë të shkurtër dhe nga këtu lirisht mund të konstatoj se qytetarët pa dallim nacionaliteti, janë të gatshëm në mënyrë të paanshme t’i ndihmojnë njëri-tjetrit në situata të vështira dhe asnjë nga institucionet nuk mund të prish sjelljen ndër njerëzore dhe bashkëjetesën. Posaçërisht e vlerësoj maturinë, e cila është segment shumë i rëndësishëm në çfarëdo qoftë situate dhe e cila dëshmoi se është e rëndësisë së veçantë për korrektësinë gjatë situatave. Kjo do të thotë se qytetarët e kaluan testin dhe do të doja që kjo të vazhdojë jo vetëm për situata kur bëhet fjalë për fatkeqësi, por edhe gjatë vijimit natyror të jetës dhe bashkëjetesës, të cilën duhet ta ndërtojmë në nivel më human dhe më të lartë”, shkruan për TVM2 Sonja Ajanovska–Delovska.
Edhe qytetarët tjerë, duke e përshëndetur iniciativën e atyre që në mënyrë vullnetare ndihmuan më 25 maj, vlerësojnë se bashkëjetesa mes etniteteve dhe përkatësive fetare të ndryshme duhet gjithmonë të jetë në nivel.
“Çdoherë duhet të jenë në nivel. Shqiptarët si popull janë human dhe gjithmonë tregojnë humanitetin e tyre”, u shpreh një qytetarë.
“Bashkëjetesa gjithmonë duhet të jetë në nivel, në qoftë se bëjmë nga rasti në rast incidente, atëherë ajo nuk është në rregull. Një bisedë interesante, thonë se maqedonasit duhet tu japin shqiptarëve atë, këtë, e kështu me radhë, por shqiptarëve nga Zoti u është dhënë gjithçka që të kenë edhe gjuhë, shkencë, kulturë dhe gjithçka dhe këtu çështja e dhënies marrjes duhet të mbyllet, duhet edhe njëra palë edhe tjetra gjithçka të kemi dhe të shoqërohemi. Nuk mundet diçka mua të më jepet a ty jo dhe anasjelltas. Nëse fillojnë kështu njerëzit të mendojnë, atëherë do të shihni se gjithçka do të zhvillohet në rregull dhe pa pengesa”, tha një qytetarë tjetër.
“Bashkëpunimi duhet të jetë për çdo dit, se jetojmë me një Shtet ku jetojmë bashkë, takohesh në rrugë, takohesh në autobus, Shteti është i vogël, duhet t’i kemi marrëdhëniet e mira për çdo dit, jo vetëm kur ka kriza, duhet për çdo ditë të jemi mirë, nuk flas vetëm për shqiptarët, ajo vazhdon më shumë për maqedonasit”, theksoi një qytetare.
Qytetarët po ashtu potencojnë se zgjatja e dorës për njëri-tjetrin për ç’farë do që të jetë, është në interes të rinisë dhe ardhmërisë pozitive të Shtetit.
MEFAIL ISMAILI
