Maqedoni

Mandati i Pushtetit Vendor, BNJVL dhe MPL kërkojnë zgjidhje nga Kuvendi

15.05.2017 18:20

Me skadimin e mandatit, krerët komunalë do të jenë të pranishëm në vendin e tyre të punës...

Me skadimin e mandatit, krerët komunalë do të jenë të pranishëm në vendin e tyre të punës por nuk do të munden të zbatojnë obligimet e tyre ligjore.
 
Për këtë qëllim, pas një takimi të përbashkët në BNJVL ata kërkuan nga deputetët që urgjentisht të mblidhen dhe të mundësojnë ndryshimet e nevojshme ligjore për të mundësuar funksionimin e pushtetit vendor deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale të radhës.
 
“Kërkojmë nga Kuvendi që sa më shpejtë të konvokohet, t’i miratojë ndryshimet për zgjedhje dhe të zbatojë Ligjin për administrim lokal, me çka do të shpallen edhe zgjedhjet lokale. Ne mendojmë se nuk do të mundemi gjatë ta përballojmë këtë gjendje, por besojmë se do të gjendet zgjidhje, veçanërisht pas marrëveshjes midis partive politike rreth asaj që do të thotë administrim lokal dhe periudhë për mbajtjen e tyre”,- deklaroi kryetari i BNJVL-së, Koce Trajanovski.
 
Edhe Ministria e Pushtetit Vendor ka ftuar partitë politike parlamentare dhe institucionet e tjera shtetërore që të bëjnë përpjekje maksimale për të ç’bllokuar punën e organeve të pushtetit vendor.
 
“Prej nesër, kryetarët dhe këshillat e të gjitha komunave janë pa status të definuar juridik, ndërsa qytetarët janë në dilemë a do të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre para organeve të njësive të vetëqeverisjes lokale nëpërmjet procedurave të cilat i kanë filluar, apo kanë nevojë urgjente për to. Administrata Lokale dhe  shërbimet  publike të nivelit lokal janë të brengosur për pagat e tyre, si dhe për mënyrën se si në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë t’i kryejnë obligimet e tyre në mënyrë të pandërprerë, në shërbim të qytetarëve”,-  theksohet në apelin e ministres për  Vetëqeverisje Lokale, Shiret Elezi.
 
Ajo po ashtu ka apeluar se nuk duhet lejuar kriza politike ta dëmtojë procesin e decentralizimit.
 
“Duhet të merret parasysh interesi i qytetarit që është tatimpagues, i cili paguan për shërbimet lokale dhe të njëjtat duhet t’i marrë në kohë”,- ka nënvizuar Elezi.
 
NAIM RAMADANI