Botë

Mediat akuza të reja ndaj Trumpit: I dha informacione sekrete Rusisë

16.05.2017 09:27

Një tjetër hije skandali është hedhur mbi presidentin amerikan, Donald Trump....

“Uashington post” e akuzon presidentin se i ka ofruar informacione të klasifikuara ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Në bashkëbisedimin me Lavrovin dhe ambasadorin rus në Uashington, Sergei Kislyak, Trump zbuloi detaje që mund të çojnë në ekspozimin e burimit të informacionit”, shkruan “Uashington Post”, që citon burime zyrtare.

Presidenti thuhet se ka dalë nga protokolli duke zbuluar detaje mbi planin e ISIS-it përmes përdorimit të laptopëve në avionë dhe vendin ku ishte lokalizuar kërcënimi. Por, këshilltari i Trumpit për sigurinë kombëtare, McMaster,  i hodhi poshtë lajmet duke i cilësuar si të pavërteta.

Gjithsesi, edhe nëse ky lajm  do të ishte i vërtetë, i njëjti nuk do të përbënte shkelje të ligjit, pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara ka autoritetin të deklasifikojë informacionet. Ajo që bie në sy është se takimi mes tij dhe ministrit Lavrov erdhi një ditë pasi Trumpi kishte shkarkuar drejtorin e FBI-së, James Comey, që po hetonte lidhjet e tij me Rusinë.