Virusi Wannacry, dyshohet për lidhje me Korenë e Veriut
Firmat e sigurisë kibernetike kanë gjetur disa të dhëna që sugjerojnë se sulmi i madh kibernetik...

Firmat e sigurisë kibernetike kanë gjetur disa të dhëna që sugjerojnë se sulmi i madh kibernetik, që ka ndodhur në fundjavë dhe ka infektuar mbi 300,000 kompjuterë, mund të ketë lidhje me Korenë e Veriut.
Kompanitë e sigurisë “Sympantec” dhe “Kaspersky Lab” thanë se pjesë të virusit "WannaCry", të përdorura në këtë sulm, kanë kodin e njëjtë me një virus që ka shpërndarë më herët grupi “Lazarus”. Ky grup ka sulmuar kompaninë “Sony” në vitin 2014 dhe për këtë sulm është fajësuar Koreja e Veriut.
"Ky është informacioni më i mirë që kemi deri më tani sa i përket origjinës së viusit WannaCry",- thanë hulumtuesit e “Kaspersky Lab”. Por, kompania shtoi se ekziston mundësia që kodi thjesht është kopjuar nga “Lazarus” dhe nuk ka asnjë lidhje tjetër direkte. Virusi WannaCry, gjatë fundjavës, paralizoi sisteme kompjuterike në 150 shtete të botës, të cilat udhëheqin fabrika, banka, agjenci qeveritare dhe sisteme transporti.
