Botë
Turqi - grushti i shtetit, arrestohen edhe 85 punonjës të ministrive
16.05.2017 13:52
Prokuroria turke ka lëshuar 85 urdhër-arreste të reja për punonjës të Ministrisë së Energjisë dhe Arsimit...

Prokuroria turke ka lëshuar 85 urdhër-arreste të reja për punonjës të Ministrisë së Energjisë dhe Arsimit, si pjesë e hetimi të rrjetit të kryesuar nga imami, Fethullah Gulen, i konsideruar nga Ankaraja zyrtare përgjegjës i tentativës për grusht shtet më 15 korrik të vitit të shkuar.
Rreth 50.000 persona janë arrestuar deri tani nga autoritetet turke si mbështetës të Gulenit. Ekstradimi i klerikut pritet të jetë një nga temat kryesore në takimin e sotëm të presidentit Erdogan me homologun e tij amerikan, Donald Trump, në Uashington.
Takimi i tyre i parë të drejtpërdrejtë vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë në nivelin më të mirë të mundshëm. Temat më problematike mbeten situata në Siri, lufta kundër terrorizmit, si dhe armatosja e militantëve kurdë nga ana e Shteteve të Bashkuara, veprim ky që nuk është pritur mirë nga Turqia.
Palët pritet të shprehin vullnet të ndërsjellë për të vijuar bashkëpunimin anti-ISIS, në kushtet kur Ankaraja ka rritur nivelin e dialogut me Moskës duke udhëhequr bisedimet për paqe që po zhvillohen në Astana, kryeqytetin e Kazakistanit. Pas bisedës me dyer të mbyllura, presidentët, Trump dhe Erdogan, do të mbajnë një konferencë për mediat, ku do të shpalosin edhe konkluzionet e tyre.
