Maqedoni

Kompetentët të gatshëm të përballen me fatkeqësitë

27.05.2014 19:15

Rreziqet natyrore mund të godasin çdo moment. Fatkeqësitë natyrore, si vërshimet, tërmetet...

Rreziqet natyrore mund të godasin çdo moment. Fatkeqësitë natyrore, si vërshimet,  tërmetet, vetëtimat apo zjarret kanë intensitete dhe efekte të ndryshme dhe mund të shkaktojnë humbje të konsiderueshme materiale, por edhe vetë jetët e njerëzve.
 
Stuhia e fundit me reshje të shiut dhe breshrit, që kaploi një pjesë të vendit, por edhe disa vende të rajonit, hapin dilemën se sa Institucionet e çdo Shteti janë në gjendje gatishmërie në rast të katastrofave natyrore.
 
Institucionet kompetente në vend, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Qendra për Menaxhim me Kriza bëjnë të ditur se janë 24 orë në gjendje gatishmërie për të intervenuar dhe menaxhuar me fatkeqësitë në rast nevoje. Zëvendësdrejtori i DMSH-së, Ekrem Zendeli, thotë se në rast të fatkeqësive natyrore, intervenimin e parë e kryejnë Shtabet Komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim. 
 
“Disponon me një buxhet, i cili i merr parasysh të gjitha intervenimet e forcave të veta, pra të ekipeve që ka për intervenim të shpejt dhe ekipet rezervë në rast të nevojës, buxheti i Drejtorisë i mbulon ato harxhime. Në rast të katastrofave më të mëdha, atëherë sigurisht se buxheti i Drejtorisë nuk do të jetë i mjaftueshëm, por në ato situata Qeveria e Maqedonisë intervenon me ndihmë ndaj nevojave që ka Drejtoria si në aspektin material ashtu edhe në format tjera”, deklaroi zëvendësdrejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ekrem Zendeli.
 
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se institucionet kompetente disponojnë me buxhet të paraparë për fatkeqësi më të vogla, ndërsa kur fatkeqësitë janë me përmasa më të mëdha, Qeveria shfrytëzon buxhetin e ndarë për raste të paparashikueshme. 
 
“Në pajtueshmëri me ligjin për buxhet, në korniza të buxhetit qendror të Maqedonisë, planifikohen mjete buxhetore që parashihen për raste të paparashikueshme. Mjetet e miratuara shfrytëzohen për tejkalimin e pasojave elementare nga fatkeqësitë, epidemi dhe katastrofa ekologjike. Ato i miraton Qeveria dhe nëse miratohen për shfrytëzim, atëherë hidhen në buxhetin e Qendrës për Menaxhim me Kriza, si institucion e cila koordinon me menaxhimin e krizave të mundshme”, theksoi zëdhënësja e QMK-së, Nadica Vçkova.
 
Edhe sa i përket dëmshpërblimit që mund të shkaktojnë fatkeqësitë, qytetarët fillimisht duhet të paraqiten te Pushteti Lokal për të sqaruar llojin e dëmit, e më pas çështja kalon te institucionet dhe instancat tjera. 
 
SANIJE KASAMI