Maqedoni

Rasti “Trust”, Vangelovski nuk e komenton lirimin e Koçanit

16.05.2017 14:56

Sead Koçan, biznesmeni i dyshuar në rastin “Trust” nga Prokuroria Speciale...

Sead Koçan, biznesmeni i dyshuar në rastin “Trust” nga Prokuroria Speciale, është operuar dhe ende nuk dihet se kur Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Shkupi 1 do të vendosë rreth ankesës së Prokurorisë Speciale kundër vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake me të cilën është refuzuar propozimi për shqiptimin e masës së paraburgimit.
 
Hë për hë, duket se gjykata pret shërimin e biznesmenit.
 
Kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangelovski, nuk deshi të komentojë pyetjet e gazetarëve për heqjen e paraburgimit për Koçanin, as nëse i njëjti është bërë nën presionin e VMRO-së e as nëse me këtë vendim ka keqpërdorur pozitën zyrtare.
 
“Në këtë pyetje, që qartë shihet se është tendencioze dhe jashtë temës, refuzoj të jap përgjigje, sepse nuk ka arsye që me rastin e seancës së përgjithshme të Gjykatës Supreme të përgjigjem për lëndë konkrete. Unë aspak nuk u iki kamerave dhe asnjëherë nuk kam ikur as prej kamerave e as prej gazetarëve”,- deklaroi kretari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangelovski.
 
Këshilli gjyqësor në Gjykatën Penale 1 në Shkup, në bazë të ankesës nga Prokuroria Speciale Publike, caktoi masën e paraburgimit për biznesmenin Koçan, vendim ky i vërtetuar edhe nga apelacioni.
 
Por, Gjykata Supreme i shfuqizoi të dy vendimet të premten këto dy vendime  dhe e kthehu lëndën në gjykim të sërishëm.
 
Në rastin “Trust”, sipas Prokurorisë Speciale Publike, tre kompani të shoqëruara në konzorcium kanë fituar tenderin e ELEM-it prej mbi 17 milion eurosh, duke dorëzuar dokumente false për pronësi të pajisjeve dhe personelit.
 
FLORIJE KAMBERI-BELULI