Maqedoni

Ivanov, edhe tre ditë kohë për mandatin; LSDM: argumentet e presidentit, të pakuptimta; VMRO: zgjedhje të reja, së bashku me lokalet

16.05.2017 15:39

LSDM hedh poshtë spekulimet se kandidati për mandator, Zoran Zaev, ia ka dorëzuar garancitë presidentit, Gjorge Ivanov...

Zëdhënësi i partisë, Petar Shilegov, thotë se mandatori do të riafirmojë programin e qeverisë së re para presidentit edhe pse një gjë e tillë nuk është detyrim kushtetues dhe ligjor. Ai siguron se për këtë do të njoftohet opinioni në kohë.
 
Ndërkaq, në kumtesën e lëshuar nga LSDM thuhet:
“Riafirmimi i Programit të Qeverisë së re të Maqedonisë unitare, e cila do të punojë konform Kushtetutës, në interes të perspektivës euroatlantike, i hedh poshtë të gjitha argumentet e pakuptimta rreth mandatit që Gjorge Ivanov duhet ta ndajë shpejt”.        
 
LSDM ka ftuar edhe partinë amë të presidentit Ivanov, VMRO-DPMNE-në, përkatësisht “politikanët e arsyeshëm” të saj që të jenë konstruktivë, ndërsa partia të ndërpresë politikën e ulët për përmbushjen e interesave personale të individëve dhe të tregojë përgjegjësi para qytetarëve dhe shtetit.
 
Mirëpo VMRO-DPMNE ka ripërsëritur qëndrimin e saj për zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokalet, që parashihet të mbahen në tetor. 
 
“LSDM duhet të përballet me qytetarët dhe të sheh se çfarë mendon populli për politikën e tyre destruktive. Nëse kanë pak guxim, ndershmëri dhe përgjegjësi ndaj popullit të vet, LSDM do të pajtohet që në tetor, së bashku me zgjedhjet lokale, të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Populli nuk do platforma të huaja dhe të kërrus kurrizin për qëllime dhe interesa të huaja”, – thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.  
 
Ndërkaq, partitë shqiptare kanë autorizuar kandidatin për mandator, Zoran Zaev, që të japë garanci për Programin e Qeverisë së re.
 
Një gjë të tillë e konfirmoi vetë kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, pak ditë më parë, pas vizitës që i bëri kreut të LR-PDSh-së, Zijadin Sela, por edhe partive shqiptare veç e veç.
 
Refuzimi i presidentit Ivanov që të respektojë detyrimin kushtetues për t’ia ndarë mandatin kandidatit të shumicës parlamentare, paraqet precedencë.
 
Vullnetarizëm do të jetë edhe akti i mandatorit nëse pranon që garancitë që duhet t’i jep gjatë betimit, para Kuvendit, paraprakisht, t’ia kumtojë presidentit, pa pasur detyrim kushtetues dhe ligjor.       
 
SHPËTIM NUREDINI