Ekonomi
Firmat ndërtuese, kriza politike pamundëson investimet e reja; ONM: Sektori i ndërtimtarisë, stabil edhe gjatë krizës
16.05.2017 15:44
Kompanitë ankohen se kriza politike ka ulur ndjeshëm investimet e reja me këtë edhe numrin e të punësuarve...

Kompanitë kërkojnë zgjidhje të shpejtë të krizës që t’i kthehen aktiviteteve normale.
“Nuk kam guxim që të filloj me investime të reja. Për disa punë që mund të kishin mbaruar për 3 ditë, tani pritet me muaj. Në këtë moment në kompani kam 400 punëtorë dhe nëse kriza politike nuk tejkalohet shpejt, nuk do të mbeten as 40”,- deklaroi afaristi, Vanço Çiliganec.
Por, edhe përkundër ankesës së disa afaristëve, nga Oda e Ndërtimtarisë thonë se ky sektor për momentin është më stabili.
“Viteve të fundit sektori i ndërtimtarisë shënon rritje. Mund të themi se ky sektor po përballet me krizën politike dhe atë po e kalon pa ndonjë problem. Deri më tani të gjitha parametrat tregojnë se sektori i ndërtimtarisë është stabil, por nuk mund të themi se do të vazhdojë të jetë kështu nëse kriza politike vazhdon”,- theksoi drejtori i Odës SË Ndërtimtarisë në Maqedoni, Robert Hot.
Edhe pse flitet për ulje të fuqisë blerëse, ndërtuesit nuk kanë ndërmend të ulin çmimet e ndërtesave të reja, sepse arsyetohen se çmimi më i ulët do të thotë edhe cilësi më e ulët. Gjithsesi, nga Lidhja e Odave Ekonomike apelojnë që të gjithë qytetarët që duan të blejnë banesa apo shtëpi të reja, të përcaktohen për ndërtimet EKO, që plotësojnë të gjitha standardet për efikasitet energjetik, sepse ky standard do të thotë kursim afatgjatë i energjisë dhe parave.
REJHANE BUSHI-METAJ
