Botë

KE apel Beogradit: njihni zyrtarisht gjenocidin e Srebrenicës

16.05.2017 15:53

Ekspertët e Këshillit të Europës i kërkuan sot Serbisë të njohë zyrtarisht Masakrën e Srebrenicës në Bosnje Hercegovinë si një gjenocid...

Ekspertët e Këshillit të Europës i kërkuan sot Serbisë të njohë zyrtarisht Masakrën e Srebrenicës në Bosnje Hercegovinë si një gjenocid, në një raport që shpreh gjithashtu shqetësim edhe për frazat plot urrejtje të përdorura nga grupet raciste të tifozëve të futbollit.
 
“Drejtuesit politik duhet të pranojnë zyrtarisht se masakrat e kryera në Srebrenicë, në lindje të Bosnje Hercegovinës përbëjnë një gjenocid”, theksoi presidenti i Komisionit Europian kundër racizmit dhe intolerancës (Ecri) i Këshillit të Europës, suedezi Christian Ahlund, transmeton AFP.
 
Në korrik të vitit 1995, rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës në Srebrenicë brenda disa ditëve.
 
Bëhet fjalë për krimin më të rëndë të kryer në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore.
 
Komisioni i Këshillit Europian theksoi se Parlamenti dhe presidenti serb kanë kërkuar falje për masakrën e Srebrenicës.
 
Megjithatë, ai shprehu keqardhje për faktin që asnjëri prej tyre nuk ka pranua që këto masakra përbëjnë një gjenocid ashtu si i kanë cilësuar gjykatat ndërkombëtare.
 
Presidenti serb, Tomislav Nikoliq, një nacionalist populist, ka kërkuar falje në prill të vitit 2013 në televizionin kombëtar të Bosnjës.