Maqedoni
Markovski: Maqedonia t’i kthehet rrugës euroatlantike
16.05.2017 16:09
Ndryshimet aktuale në shoqëri imponojnë nevojën e kthimit të vendit në rrugën euroatlantike, vlerat perëndimore dhe përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët...

Kryetari i Klubit Diplomatik, Danço Markovski, tha se thirrjet nacionaliste të shoqëruara me histori të shtrembëruara shkaktuan ndarje ndërmaqedonase, por edhe rrënimin e sigurisë ndërnacionale, duke e dëmtuar Maqedoninë në rrafshin ndërkombëtar.
“Shteti i robëruar nga partitë politike arriti të shndërrohet në vatër potenciale të jostabilitetit në rajon. Andaj ndryshimet në shoqëri që po ndodhin për momentin e imponojnë nevojën e veprimit sipas parimeve të presidentit të parë, Gligorov. Nevojitet përgatitje rrënjësore për miratimin e një strategjie për politikat e jashtme të shtetit nëpërmjet debatit profesionist, ndërrimit të legjendave dhe miteve me politikë pragmatike të jashtme dhe interes të qytetarëve për sigurinë e tyre dhe mirëqenien”,- deklaroi kryetari i Klubit Diplomatik, Danço Markovski.
Edhe akademikë, profesorë dhe bashkëpunëtorë të ish-presidentit Gligorov nënvizuan rolin e tij kyç në rrafshin ndërkombëtar, duke pasur prioritet interesin e qytetarëve. Në mandatin e tij 9-vjeçar si president, Gligorov ka realizuar 50 udhëtime zyrtare dhe ka marrë pjesë në takime të rëndësishme ndërkombëtare.
MERAL ISMAILI
