Maqedoni

Komiteti i Helsinkit dhe OJQ “Infoqendër”: pushteti ngulfat punën e Avokatit të Popullit; Memeti: ligji është i mirë, bojkotohemi në praktikë

16.05.2017 16:20

Avokati i Popullit duhet të ketë buxhet të pavarur, mundësi për punësime të reja cilësore dhe qasje të plotë në institucione...

Vetëm kështu mund të priten rezultate cilësore nga puna e tij, vlerëson Komiteti i Helsinkit.
 
Bashkë me OJQ “Inforqendra”, ata prezantuan raportin e fundit për punën dhe kapacitetin e obdusmanit.
 
Kërkojnë nga  Qeveria e ardhshme medoemos të përkushtohet në plotësimin e këtyre nevojave.
 
“Pavarësia financiare është me rëndësi kruciale për avokatët e popullit. Avokati i popullit i Maqedonisë prej themelimit të këtij institucioni e deri më sot ende nuk arriti të sigurojë pavarësinë financiare, e cila do të kishte mundësuar obdusmanin vetë të krijojë politikat e tij institucionale, punësimet, dhe me këtë të përmirësojë punën e tij”,- theksoi Urania Pirovska nga Komiteti i Helsinkit.
 
“Vullneti i pakët politik për Avokatin e Popullit ndër vite ka treguar se pushteti nuk dëshiron pavarësinë dhe efikasitetin e plotë të këtij institucioni dhe kjo gjë dëshmohet me buxhetin e tij vjetor i cili akoma varet nga pushteti ekzekutiv dhe punësimet e vogla të cilat nuk i plotësojnë fare nevojat e Avokatit të Popullit”,- u shpreh Biljana Bejkova nga OJQ “Infoqendër”.
 
Ixhet Memeti pranon se formalisht korniza ligjore e obdusmanit është e mirë dhe plotëson standardet europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por në praktikë e njëjta nuk mund të japë rezultate përderisa ka mungesë të theksuar të kuadrove cilësorë dhe mjeteve financiare. 
 
“Avokati i Popullit i Maqedonisë si problem më të madh ka resurset njerëzore që nuk i ka në institucion dhe nuk mund të ushtrojë funksionin e tij me kapacitet të plotë dhe varshmërinë totale që ka nga Qeveria sa i përket financave dhe mendoj se me përmbushjen e këtyre dy segmenteve do t’u ndihmojmë më shumë qytetarëve”,- u shpreh avokati i popullit të Maqedonisë, Ixhet Memeti.
 
Buxheti vjetor i Avokatit të Popullit për këtë vit është 74 milion e 540 mijë denarë.
 
Mbi 65 për qind e tij dedikohet për rrogat e të punësuarve, ndërsa pjesa tjetër për shërbime kontraktuale dhe të mbetura.
 
Brenda 5 viteve të fundit gjithsej 17 të punësuar kanë dalë në pension, ndërsa gjatë kësaj periudhe nuk është bërë asnjë punësim i ri në këtë institucion, theksohet në raportin e OJQ-ve.
 
REXHEP QAMILI