Komiteti i Helsinkit: vendimi i Supremes për Koçanin, vendim politik
Komiteti i Helsinkit ka dënuar vendimin për shfuqizimin e paraburgimit për biznesmenin, Sead Koçan, nga ana e Gjykatës Supreme...

Nga K. H. përkujtojnë se Ligji për Prokurorinë Speciale i jep kompetenca të plota Prokurorisë Speciale që të parashtrojë kërkesa e të përfaqësojë lëndë para gjykatave themelore, asaj të Apelit apo Gjykatës Supreme.
Gjithashtu kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, ka kompetenca absolute të ndërmarrë veprime të pavarura dhe të kryejë të gjitha funksionet hetimore dhe të prokurorisë që përfshijnë pjesëmarrjen në të gjitha procedurat gjyqësore dhe hapjen e çfarëdolloj procedure, përshirë edhe procedurat penale, nëse i vlerëson si të domosdoshme.
Vendimin e Gjykatës Supreme për heqjen e masës së paraburgimit për biznesmenin, Sead Koçan, i dyshuar në rastin “Trust” të PPS-së, nga Komiteti i Helsinkit e shohin si vendim që hap dyshime serioze për ndikim politik gjatë marrjes së vendimit.
Arsyetimi i Gjykatës Supreme se nuk ka pasur dëshmi të mjaftueshme për bazën e dyshimit si kusht për paraburgimin e Koçanit është pyetje faktike, të cilën kjo Gjykatë nuk ka mundur ta vlerësojë, thonë nga Komiteti i Helsinkit. Sipas tij, kjo është hera e parë që cilado gjykatë në R. M. të vendosë që personi me vendim për paraburgim të lihet i lirë deri sa të vendoset për ankesën rreth këtij vendimi.
Këshilli i Gjykatës Supreme para disa viteve shkarkoi gjykatësin, Jordan Mitrinovski, pikërisht për shkak të një vendimi të ngjashëm, pra sepse vendosi që arresti shtëpiak dhe garancia ishin të barasvlershme me vendimin për paraburgim.
Në marrjen e vendimit për shkarkimin e këtij gjykatësi ishte i pranishëm edhe kreu aktual i Supremes, Jovo Vangellovskim përkujtojnë nga Komiteti i Helsinkit, të cilët nuk besojnë se brenda natës Gjykata Supreme dhe Prokuroria Publike janë kthyer në avokatë ultraliberalë të të drejtave ndaj të dyshuarve.
ERSAN PAJAZITI
