Maqedoni
Skadimi i mandatit të këshillave komunalë, Bekteshi: Reflektim negativ për qytetarët
16.05.2017 16:51
Skadimi i mandatit të krerëve dhe këshillave komunalë në kushte kur të njëjtat nuk janë shpallur...

Skadimi i mandatit të krerëve dhe këshillave komunalë në kushte kur të njëjtat nuk janë shpallur, do të prodhojë efekte negative dhe problem për qytetarët në marrjen e shërbimeve nga pushteti vendor. Reflektimi i kësaj gjendje si e tillë do të ndjehet gjatë ditëve në vijim, thotë ish-kreu i Këshillit komunal të Çairit, Zahir Bekteshi.
“Të gjitha kompetencat e pushtetit lokal do të reflektohen negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve edhe atë në zgjidhjen e çështjeve juridiko-pronësore, në funksionimin normal të ndërmarrjeve publike i cili mund të eskalojë që nga muaji i ardhshëm në procesin e nënshkrimit të pagave të punëtorëve”,- deklaroi ish-kryetari i Këshillit komunal – Çair, Zahir Bekteshi.
Zyberi: Çdo vendim komunal tani, bie ndesh me ligjin
Ekspertët vlerësojnë se nëse komunat tani sjellin vendime të caktuara, këto vendime do të binin ndesh me ligjin dhe nënshkruesit eventualë do të përgjigjeshin penalisht.
“Autoritetet e pushtetit lokal nuk mund të marrin vendime për asnjë çështje, sepse këto vendime do të ishin jashtë afatit në të cilin ata kanë marrë legjitimitet për të ushtruar pushtetin vendor. Vendimet eventuale që do të merreshin janë nul, ndërsa personat të cilët do t’i ndërmerrnin këto vendime mund të përgjigjen ligjërisht”,- tha eksperti juridik, Naser Zyberi.
Sipas Zyberit, kryetari i Kuvendit urgjentisht duhet të konvokojë seancë dhe të vihet në rend dite propozimi për ndryshimin e Kodit Zgjedhor për zgjatjen e mandatit të krerëve dhe të këshillave komunalë deri në zgjedhjet e ardhshme.
NAIM RAMADANI
